Veliaj do shpronësojë Sarajet, me gjasa për tjetër kullë me oligarkët

0
Veliaj do shpronësojë Sarajet, me gjasa për tjetër kullë me oligarkët

Kryebashkiaku Veliaj do shpronësojë nga pronarët ndërtesën e njohur si Sarajet, dhe një ndërtesë në pronësi të familjes Libohova ngjitur me të, të cilat ndodhen në rrugën Abdi Toptani, në pjesën para Qendrës Toptani, përballë Hotel Plaza.

Veliaj e ka bërë këtë deklarim në emsionin Opinion të hënën në mbrëmje, ku është munduar të justifikojë me argumenta absurde vendimin e prishjes së Teatrit Kombëtar, e cila edhe nëse nuk mund të shërbente si teatër mund të shërbente shumë mirë si muze publik.

Para pak muajsh Bashkia Tiranë ka dhënë një tjetër tokë private pas ndërtesës së Bashkisë një tjetër ndërtuesi, kur ajo gjithashtu mund të shërbente si muze. Ndërkohë, që toka të tjera publike kudo në Tiranë po u jepen privatëve për zhvillim, sikurse ndërtesa muze gjithashtu po u merren pronarëve dhe menjëherë po bëhen ndërtime të larta private.

Pikërisht, ndërsa ka tjetërsuar tek privatët thuajse të gjitha ndërtesat më të rëndësishme të Tiranës, befas Veliaj po deklaron se do të shpronësojë dy ndërtesa private, me paratë publike, me pretendimin se do i bëjë ato muze.

Pohimi i thënë në mënyrë të shkujdesur i Veliajt me shumë gjasa zbulon një projekt korruptiv grabitjeje, të cilin kryeministri Rama ka shumë vjet që nuk po e realizon dot për zhvillimin e zonës pas teatrit, që në fakt ka qenë i vetmi qëllim edhe për prishjen e teatrit.

Kryeministri Rama në bashkëpunim me një nga oligarkët më të mëdhenj të vendit ka planifikuar që në truallin e ndërtesës Sarajet, të ngrejë një kullë rreth 45 kate të lartë, një koncept idenë e së cilës e ka parë Exit News.

Për shumë vite zhvilluesi i zgjedhur nga Rama, është përpjekur ta blejë ndërtesën dhe truallin nga trashëgimtarët e familjes Kazazi dhe degëzimët pasardhës të saj, familjes Kosova, por ka hasur pengesën e një prej trashëgimtarëve i cili nuk ka pranuar ta shesë pavarësisht çmimit të blerjes.

Duke qënë se kjo pengesë ka qenë e pakalueshme, Rama dhe Veliaj duket se tani kanë hartuar një plan dinak për të realizuar ndërtimin: me gjasa ata do t’ja marrin me dhunën e shtetit si shpronësim ndërtesën pronarit që nuk pranon ta shesë, me pretekstin se duhet për muze që është një interes publik, dhe në një hap të dytë do ta tjetërsojnë pronën e bërë publike në favor të ndërtuesit privat.

Me gjasa, skema që do të përdoret është ajo që Rama dhe Veliaj po përdorin kudo: do ia japin tokën publike oligarkut, me marrëveshje që katet e para të jenë muze në pronësi të bashkisë, ndërkohë që zhvilluesi do të gëzojë të gjithë pjesën tjetër.

Është e gjitha një konspiracion i pastër për të grabitur një pronë private me forcën e shtetit dhe pastaj për të grabitur vetë shtetin në shërbim të një privati.

Ndërtesa 45 kate e lartë është pjesë e projektit Rama -Veliaj për ndërtimin e të gjithë zonës nga rruga para Ministrisë së Brendëshme deri tek rruga para godinës së vjetër të PD-së, pra përballë qendrës Toptani, duke krijuar kështu, së bashku me ndërtesat ekzistuese Torre Drini, Gjergji Center dhe Eurocol, një bllok të dendur ndërtesash të larta./exit.al

Artikulli i mëparshëm2019, rriten me ritme dyshifrore pagesat bankare nga interneti dhe kartat
Artikulli i radhës5 bukuritë shqiptare që duhet të vizitoni pas karantinës