E përkrahu apo e kundërshtoi Vatikani Holokaustin? Ja çfarë thonë dokumentet e deklasifikuara

0

Dukumentet sekrete të zbuluara së fundmi, po hedhin një dritë të re mbi papatin shumë të  diskutueshëm të Papa Piut XII. A ishte ai mik me nazistët? Apo një kundërshtar i kujdesshëm? Apo po mos vallë situata është shumë komplekse për t’u gjykuar? Me arkivat e Vatikanit që janë hapur që prej muajit mars, shpresohet që të gjendet e vërteta.

Tashmë historianët që po qëmtojnë nëpër dokumentet e sapo deklasifikuara nga arkivat e shumta, thonë se kanë zbuluar prova, një pjesë e të cilave janë detajuar në të përjavshmen gjermane “Die Ziet”, se Papa Piu ishte në dijeni që në vitin 1942 mbi vuajtjet e mëdha, që po pësonin hebrenjtë nga nazistët.

Zakonisht dokumentat papale bëhen publike 70 vjet pas përfundimit të një papati. Por në këtë rast, Papa Françesku e përshpejtoi thuajse me një dekadë publikimin e tyre. Në një aktivitet në fillim të vitit 2019, që shënoi 80 vjetorin e zgjedhjes së paraardhësit të tij, kreu aktual i Kishës Katolike deklaroi se Kisha nuk ka frikë nga historia.

Ai tha se “vendimet e vështira” brenda këtij institucioni, kishin çuar në sjellje të cilat “për disa mund të dukeshin si neglizhencë”. Por pse Papa Piu, është një figurë kaq shumë e diskutueshmes? Duke qenë Papë gjatë Luftës së Dytë Botërore (Papati i tij u shtri në vitet 1939- 1958), ai u detyrua të përballej me shfaqjen më të madhe të së keqes të shekullit XX- Rajhun e Tretë të Adolf Hitlerit.

Shumë njerëz e cilësojnë si katastrofike qasjen e tij neutrale ndaj nazizmit. “Smithsonian Magazine” shkruan se “refuzimi i Papës për të dënuar publikisht nazistët, paraqet një moral të turpshëm, që dështoi me pasoja shkatërruese”.

Drama e vitit 1963 “Zëvendësi” nga Rolf Hoshhut, përshkroi mungesën e moralit të Papës gjatë atij konflikti botëror. Ndërsa gazetari Xhon Kornuell shkoi aq larg sa ta quantë Piun “Papa i Hitlerit”. Ky ishte edhe titulli i biografisë së tij mbi Papa Piun në vitin 1999, ku Korneull argumenton se duke mos kritikuar hapur regjimin nazist, Papa e legjitimoi dhe forcoi pozitat e Fyhrerit.

Historianë si Meri Vinsent e Universiteti të Shefilldit në Britaninë e Madhe, e vënë theksin tek problemet që shkaktoi sjellja balancuese e Papës. Duke e përshkruar Piun në “The Guardian” si  të kujdesshëm, dhe mjaft të padiskutueshëm, ajo gjithashtu thotë se “kategorizimi i tij si i mirë ose i keq nuk është i dobishëm, dhe se gjithçka ka të bëjë me vendimet që ai mori, dhe hapësirën që i duhej për t’i marrë ato vendime”.

Për shumë ekspertë, qasja e tij i shpëtoi katolikët nga persekutimi nazist. Përkrahësit theksojnë gjithashtu faktin që manastiret italiane, strehuan mijëra hebrenj. Dokumentet e sapo deklasifikuara të Vatikanit, u kanë dhënë ekspertëve njohuri të mëtejshme mbi procesin e vendimmarrjes në Romë.

Ndër vizitorët kuriozë të arkivave ishte historiani i njohur mbi Kishën Katolike, Ulf Hubert. Dhe një nga dokumentet që ai zbuloi është kompromentues. Arkivat Katolike, shkruan Hubert, “zbuluan për një gazetë gjermane (Die Ziet), se ekipi i tij me 7 studiues zbuloi një memorandum … të shkruar nga stafi i Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit, që e këshillonte Piun të mos i besonte raporteve mbi mizoritë e gjermanëve, që do të merrte nga burimet hebraike, dhe nga Patriarku Katolik i Ukrainës, Kardinali Andrej Shepticki.

Zyrtari i lartë i Vatikanit dhe më vonë kardinali Anxhelo Dell’Akua, tha se hebrenjtë i “ekzagjerojnë lehtë gjërat” dhe se “orientalët” (katolikët ukrainas), nuk janë në fakt “një shembull i ndershmërisë”. Duke pasur parasysh refuzimin e Papës për të folur hapur kundër sulmeve mbi hebrenjtë në atë kohë, zbulimi i fundit është i bujshëm.

Pra duket se Papa e dinte se mizoritë e nazistëve ndaj hebrenjve po ndodhnin në një shkallë të madhe, dhe megjithatë nuk shprehu kurrë ndonjë protestë të fortë. Megjithëse siç e thekson “Time”, edhe pse “nuk i denoncoi publikisht nazistët për atë që u ndodhi hebrenjve në Evropë, Piu XII do të fliste shpesh në terma të përgjithshëm për mbrojtjen e minoriteteve, dhe urrejtjen ndaj luftës”.

Ai nuk heshti plotësisht, dhe tha diçka, megjithëse shumë vonë. Britanikja “The Guardian” raporton se si në vitin 1943, ai i shkruante Peshkopit të Berlinit, duke argumentuar se kisha nuk mund ta dënonte publikisht Holokaustin, nga frika se mos shkaktonte “të këqija edhe më të mëdha”.

Piu XII, u mor me nazistët qëkur ishte një diplomat i Vatikanit. Si Sekretar i Shtetit, Euxhenio Pacelli – emri i tij i lindjes – ai nënshkroi Traktatin e Rajhkonkordatit të vitit 1933. Me të, ai bashkoi juridiksionin Papal të “Selisë së Shenjtë”, me kërkesat e një Rajhu në ndërtim e sipër.

Raportohet se ai pakt kënaqte interesa të caktuara politike të Kishës Katolike, ndërsa i ofronte asaj mbrojtje nga forcat e Hitlerit.

“Që në fillim, bota kishte shumë pikëpyetje në lidhje me natyrën e marrëdhënies midis Vatikanit dhe regjimit fashist”- shkroi “Time” vitin e kaluar. Duke cituar një botim të vitit 1943, ajo shton:”Në përgjithësi akuzat më të rënda kundër Kishës Katolike, kanë të bëjnë me aftësinë me të cilën Vatikani dhe hierarkët e tij janë ‘peshkuar’ dhe gëlltitur në detin fashist që i rrethon’.

Piu u bë Papë 6 muaj para se të niste lufta. Ai qëndroi i heshtur kur Hitleri marshoi në Poloni në shtatorin e 1939-ës. A mund të kishte ngritur ai zërin në lidhje me rritjen e së keqes? Kjo është një pyetje që shqetëson njëlloj si besimtarët ashtu edhe jo-besimtarët.

“Time” i referohet historianit Dejvid Kercer. “Piu ngurronte të denonconte nazistët, jo sepse ai ishte pro-nazist, por sepse pjesërisht, ai ishte në ankth se mos rrezikonte pozitën e katolikëve në vendet e Boshtit, se mos ata diskriminoheshin nga qeveritë naziste”. (Katolikët ishin pakicë në mesin e krishterëve gjermanë).

Figura e Papa Piut, është diskutuar shumë kohët e fundit, falë 2 filmave:“Papa i Ri” me protagonist aktorin Xhud Lou dhe “Dy Papët”, interpretuar nga Entoni Hopkins si Papa Benedikti dhe Xhonatan Prajs si pasardhësi i tij Françeskut. Në jetën reale, Benedikti sugjeroi që Piu XII të ishte një kandidat për t’u shpallur shenjt.

Por Françesku duket më pak i bindur për këtë gjë. Nuk ishte vetëm Gjermania e prirur ta kishte Piun në krah treçerek shekulli më parë. Qeveritë botërore e shihnin Papën si një aleat të rëndësishëm. Për shembull, SHBA-j e shihte atë si çelësin për të fituar zemrat dhe mendjet e katolikëve.

Kësisoj, ndërsa Piu nuk tha asgjë kundër nazistëve, ai nuk mbështeti hapur as palën tjetër. Kishte edhe një çështje ideologjike, që nga këndvështrimi i Vatikanit, mund të ketë qenë një perspektivë më e keqe se ajo e Hitlerit. “Time” përmend librin “Zëvendësi” i Hoshhut, që akuzon Papën se nuk e dënoi hapur antisemitizmin e Hitlerit, pasi e shihte Gjermaninë naziste si një pengesë midis të krishterëve dhe komunistëve.

Me shumë faktorë të ndryshëm që sillen rrotull, investigimi i trashëgimisë së Piut XII, është një sipërmarrje e madhe. Kjo nuk është hera e parë që Vatikani hap arkivat e tij mbi këtë çështje. Gjatë viteve 1965-1981, u botuan jo më pak se 11 vëllime materialesh në përpjekje për të vendosur një lloj drejtpeshimi mbi këtë debat.

Por ato publikime u cilësuan selektive dhe të pakënaqshme nga disa. Kush e di se çfarë mund të gjendet kur arkivi të jetë sërish i hapur? Siç e thekson “Catholic Register” seksioni i Arkivave Apostolike mbi Piun XII i (i njohur dikur si Arkivi Sekret), përmban të paktën 200.000 kuti me mbi 2 milionë dokumente.

Mendohet se dokumentet do të kërkojnë vite për t’u shqyrtuar. Ndërkohë, reputacioni plot dritë-hije i Piut XII, varet nga një ekuilibër delikat. Besimi fetar dhe konflikti, kanë një lidhje historike dhe të tmerrshme. Lufta e Dytë Botërore, nxori pa dyshim më të mirën tek njerëzit e besimit, të cilët donin të ndihmonin në mposhtjen e nazistëve. Megjithatë, çfarë qëndron në të vërtetë prapa sjelljes neutrale të njërit prej Papëve më të përfolur të historisë? Një përgjigje përfundimtare mbi këtë gjë, është ende shumë larg… 

Artikulli i mëparshëmA mundet qeveria e Mbretërisë së Bashkuar t’i detyrojë njerëzit të vaksinohen?
Artikulli i radhësYuri Kim mesazh të fortë klasës politike: Mjaft me lojëra. Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore të domosdoshme