Ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, tha se vendimi i Malit të Zi për të mos hapur kufijtë me Serbinë është në kundërshtim me parimet e lirisë së lëvizjes, mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian, dhe se nuk u kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.
“Mali i Zi, në procesin e integrimit evropian, ka përparuar më shumë se Serbia dhe disa vende të tjera të rajonit. Në përputhje me këtë, ai do të duhej të ishte shembull për të tjerët. Por, në vend të kësaj, midis njerëzve krijohen artificialisht barriera”, tha Mihajlloviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
“Ky vendim e thotë qartë se jo vetëm Mali i Zi ka det dhe unë besoj se qytetarët tanë do ta kuptojnë këtë mesazh”, shtoi ajo.
Të hënën, Qeveria e Malit të Zi ka bërë të ditur se me cilat vende do t’i rihapë kufijtë, të cilët janë mbyllur për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Në mesin e tyre janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia.
Me këto vende është thënë se kufijtë do të rihapen në ditët e para të qershorit.
Sipas autoriteteve malazeze, ato i kanë plotësuar kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar me koronavirus në 100,000 banorë.
Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë tensionuar qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kuvendi malazez ka miratuar një ligj për liritë fetare, që thuhet se konteston pronësinë serbe mbi disa kisha dhe territore në Mal të Zi.