“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme, është kërkesë e popullit shqiptar dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane,” theksohet në deklaratë.
Qëndrimi pro vijimit të reformës vjen menjëherë pas përpjekjes së presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të bërë ndryshime në formulën e realizimit të reformës dhe kritikave të tij ndaj misioneve asistuese amerikane dhe europiane. Në një program televiziv, në mbrëmjen e së hënës, (25.05) Meta kritikoi këto misione që sipas tij kanë bërë, “lojën e kryeministrit Rama që është penguesi i reformës në drejtësi”.
Përtej sulmeve të institucionit të Presidencës ndaj atij të Kryeministrisë dhe anasjelltas, që kanë karakterizuar mjedisin politik, pas braktisjes së Parlamentit nga opozita, në shkurt 2019, reforma në drejtësi ndodhet përballë pritshmërive të qytetarëve të Shqipërisë për të filluar shkuljen me rrënjë të korrupsionit në nivelet e larta të politikës dhe zyrtarëve publikë.
A po fiton reforma besimin e qytetarëve?
90 gjykatës dhe prokurorë të dalë jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, kryesisht për korrupsion, janë rezultati më spektakolar i reformës në drejtësi, krahas ngritjes së disa institucioneve kyꞔe të drejtësisë së re. Në sitën e vettingut janë ende për të kaluar edhe rreth 700 gjyqtarë dhe prokurorë. Vettingu nuk ka përfunduar, institucionet e reja nuk janë ngritur të gjitha, vendi vazhdon të jetë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Megjithatë Komisioni Europian, (KE) e ka vlerësuar reformën në drejtësi të suksesshme dhe një model që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera të rajonit.
Pritshmëritë dhe besimi i qytetarëve janë përtej këtij vlerësimi. Ata presin që drejtësia e re të ndëshkojë “të pandëshkueshmit”, ish-politikanë dhe zyrtarë të lartë publikë apo aktualë të përfolur për korrupsion që dëshmojnë të bëjnë një jetë luksoze, të papërligjur me të ardhurat e deklaruara. Deri tani asnjë prej “të pandëshkueshmëve të fuqishëm” nuk është përballur me drejtësinë qoftë për t’u dënuar, qoftë për të dalë i pafajshëm. Pak ditë më parë, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, theksoi se “vettingu duhet të vazhdojë” duke lënë të kuptohet se reforma në drejtësi është në rrugën e duhur.
Meta: Reforma në drejtësi e dështuar
Një vit më parë, në maj 2019 presidenti Meta, e quajti reformën në drejtësi “selektive dhe që ka nevojë të rishikohet” dhe kërkoi ndihmën e Asamblesë së OSBE-së, duke përjashtuar BE dhe SHBA, dy faktorët ndërkombëtarë kyꞔ, financues dhe me ekspertizë. Meta e quajti reformën të dështuar përdetisa vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, (GJK) si pasojë e vettingut dhe mungesës së një mase gjykatësish që plotësojnë kriteret për të qënë anëtarë të trupës së re të GJK.
Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në KE dhe Shefe e Operacionit Nërkombëtara të Monitorimit (ONM) për reformën e drejtësisë në Shqipëri, reagoi ashpër. ”Vettingu po shkon në drejtimin e duhur, BE dhe SHBA janë plotësisht të përkushtuara të vazhdojnë mbështetjen e reformës së gjyqësorit në Shqipëri, për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike ku askush nuk është mbi ligjin. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet ” shkruajti në majin 2019, në median sociale Genovea Ruiz Calavera.
Një vit më pas, GJK vazhdon të jetë jo funksionale dhe objekt përplasjesh mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Analistët e pavarur në Tiranë mendojnë se të dyja palët kërkojnë që të kenë kontroll në përbërjen e trupës së GJK. Meta për të mos u shkarkuar si president nga maxhotanca socialiste, që e akuzon atë për shkelje të Kushtetutës me anulimin e datës së zgjedhjeve lokale 2019 dhe kryemnistri Rama që ky vendim të merret. Pas reagimit të KE ideja e ndryshimeve në reformën e drejtësisë me asistencën e Asamblesë së OSBE mbeti në letër.
Shembja e Teatrit Kombëtar, javën e kaluar, më 17 maj, pa marrë në konsideratë dërgimin nga Meta në Gjykatën Kushtetuese për të gjykuar në parim ꞔështjen e shembjes ose jo të tij nga Bashkia e Tiranës, rinxorri në skenë përsëri mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Meta bëri publike një nismë të re për ndryshime në formulën e realizimit të reformës në drejtësi, pavarësisht që vendimi i Parlamentit më 2016 është që formula e saj “as nuk mund të rishikohet, as nuk mund të korigjohet”.
Një Këshill Politik i mbetur në letër dhe një akuzë e rëndë
Në një takim, në fundavën e kaluar, me ambasadorët e vendeve të BE dhe më pas edhe me opozitën jashtë parlamentare presidenti Meta prezantoi një platformë me 14 pika, që ai ia kishte dërguar rreth një muaj e gjysmë më parë Ambasadores së SHBA, Yuri Kim, me qëllim gjithëpërfshirjen në realizimin e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, kushte prioritare për negociatat e anëtarësimit. Platforma , mes të tjerash, ofron ngritjen e një Këshilli Politik që do të bëjë “ꞔdo ndryshim ligjor ose kushtetues lidhur me reformën gjyqësore vetëm përmes konsensusit unanim të anëtarëve të tij”. Me fjalë të tjera, këtij Këshill i jepet mandati të bëjë amendime në reformën në drejtësi para se ato t’i kalojnë për miratim parlamentit. Përmes këtij këshilli, opozita jashtë parlamentare futet në sistemin politik, pas 15 muajsh bojkoti të parlamentit dhe mos pjesëmarrjeje në Lokalet 2019.
BE dhe SHBA reaguan kundër: reforma nuk preket. Ambasadorja amerikane shkoi më tej kur shkruajti në median sociale “për marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri”. Sipas Metës ambasadorja Yuri Kim nuk e ka fjalën për atë. Në programin e kanalit televiziv Klan, të hënën në mbrëmje (25.05) ai i drejtoi gishtin kryeministrit Rama dhe e akuzoi se i shërben lobit serb në Uashington duke nxitur destabilitet dhe trazira . Ai i ilustroi këto pohime me trazirat që pasuan daljen e opozitës nga Parlamenti vitin e kaluar, dalje e imponuar sipas tij nga Rama, dhe tani me protestat që provokoi me shembjen e Teatrit Kombëtar. Meta tha se zotëron dokumenta që I vërtetojnë këto pohime.
Reagimet e forta kundërshtuese të SHBA për ngritjen e Këshillit Politik për të ndryshuar formulën e reformës në drejtësi lënë të kuptohet se vështirë që ai mund të ngrihet dhe të funksionojë.
Në këtë klimë mosmarrëveshjesh, supozimesh absurde, dokumentash prove në pritje për t’u publikuar qytetarët kërkojnë një drejtësi të pavarur nga politika, që të veprojë dhe të kontribuojë me forcën e ligjit në ndarjen e shapit nga sheqeri. /DW