
Protesta e fundit para Kuvendit nuk u mbyll thjesht me thirrje politike e kërkesa për dorëheqje. Në qendër të vëmendjes u vendos një ngjarje që rihapi diskutimin mbi sjelljen e forcave të rendit ndaj qytetarëve dhe aktivistëve: denoncimi publik i ekspertit të IT-së, Gent Progni.
Sipas deklaratave të bëra publike prej tij dhe aktivistëve të tjerë në shesh, një punonjës policie në civil i identifikuar si Edison Duda dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar ta godasë Prognin gjatë momentit kur ky i fundit po filmonte me telefon rrjedhën e tubimit.
Përplasja për provat: Çfarë po ndodh me kamerat e bizneseve?
Përtej vetë tentativës për sulm, pika më me peshë e denoncimit lidhet me atë që po ndodh pas skenave në Bulevard. Progni akuzoi hapur autoritetet se po ushtrojnë presion mbi bizneset private pranë zonës së Kuvendit — veçanërisht mbi argjendaritë — me qëllim fshirjen ose mosdorëzimin e pamjeve filmike që mund të kenë dokumentuar skenën e plotë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të tjerë të rinisë në protestë, si aktivisti Edison Lika, konfirmuan se çështja nuk do të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave mediatike. Ndaj rastit është depozituar zyrtarisht kallëzim dhe ankesë pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për të hetuar veprimet e punonjësve të përfshirë.
Reagimi i sheshit: “Vija e kuqe u kalua”
Reagimi i protestuesve pas incidentit ishte i prerë. Si Progni ashtu edhe aktivistë të tjerë në fjalimet e tyre theksuan se veprime të tilla represive nuk do të mund të frenojnë tubimet. Thirrjet kryesore të protestës mbeten largimi i qeverisë, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndërprerja e menjëhershme e çdo forme dhune apo manipulimi të provave nga ana e strukturave policore.
Tashmë syte mbeten nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe organet e hetimit për të parë nëse pamjet filmike të bizneseve do të sekuestrohen zyrtarisht dhe nëse do të ketë një pezullim apo masë disiplinore ndaj zyrtarit të denoncuar.
