Meta: Publikimi i mesazheve, akt transparence dhe sovraniteti

0

Presidenti Ilir Meta sqaron plaftormën e tij me 14 pika për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Në një intervistë për “Albanian Daily News”, Kreu i Shtetit thekson se projekt-platformën e ka bërë pas një takimi me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, që do të shërbente si pikënisje për një dialog të strukturuar dhe hap pas hapi deri në një dokument të konsoliduar të dakordësuar të të gjitha palëve.

Cili është qëllimi i Platformës suaj?

Me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të gjithë aktorët politikë vendas shfaqën një sjellje të përgjegjshme dhe një frymë të re bashkëpunimi, në shërbim të interesit më të lartë ndaj qytetarëve dhe vendit. Me këtë frymë, unë organizova dy mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, mbizotëroi ndjenja e përgjegjshmërisë.

Më 23 mars 2020, gjatë një takimi pune me Ambasadoren e SHBA diskutuam se si mund të ndërtojmë më tej mbi këtë frymë, veçanërisht në kontekstin e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me BE, kur në qershor pritej prezantimi i kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe raportet e progresit për secilin vend.
Ramë dakord se zbatimi i prioriteteve kyçe, sipas përgjegjësive të secilit aktor dhe në një frymë bashkëpunimi janë e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

Gjatë këtij takimi i premtova Ambasadores se do t’i nisja shumë shpejt një projekt-platformë, që do të mund të shërbente si pikënisje për një dialog të strukturuar dhe hap pas hapi deri në një dokument të konsoliduar të dakordësuar të të gjitha palëve, me angazhime konkrete dhe të matshme për çdo aktor institucional. Në datën 8 prill, kjo projekt-platformë iu përcoll Ambasadores, siç kishim rënë dakord.

A e cënon kjo Platformë Reformën në Drejtësi?

Kushdo që e lexon këtë projekt-platformë mund ta shohë qartë që ka vetëm tre referenca bazë: 15 kushtet e Bashkimit Europian, zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, dhe orientimin sipas rekomandimeve që jep Projekt-Opinioni i Komisionit të Venecias i datës 6 mars 2020, i kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë. As BE, as Kushtetuta dhe as Komisioni i Venecias nuk e cënojnë reformën në drejtësi, përkundrazi nxisin, inkurajojnë dhe kërkojnë zbatimin më rigoroz të saj.

Ashtu sic rekomandojnë dhe BE dhe Komisioni i Venecias për të disatën herë, ashtu siç e përmban fryma e Kushtetutës, dhe ashtu siç e kam përsëritur pa u lodhur dhe unë, zbatimi kushtetues i reformës në drejtësi duhet të ruajë frymën e konsensusit për të shmangur kapjen nga forca politike në pushtet.

Të gjithë e dimë se aktualisht i vetmi dialog gjithëpërfshirës po zhvillohet në kuadër të Këshillit Politik për reformën zgjedhore, të ngritur me mbështetjen edhe të BE. Një nga propozimet e projekt-platformës ishte që cdo nismë apo kërkesë për ndryshime ligjore që mund të konsiderohen të nevojshme nga palët, sikundër kanë propozuar disa eksponentë të mazhorancës, të diskutohej në këtë model formati gjithëpërfshirës, përpara se të miratohej në Parlamentin një-partiak. Pra, në thelb do të mund të sigurohej moscenimi i Reformës në Drejtësi, ndryshe nga sa sugjeron pyetja juaj.

A është e vlefshme më kjo Platformë?

Kjo platformë është në shërbim dhe dobi të plotësimit të 15 kushteve të BE. Përderisa kushtet e integrimit europian janë në fuqi, dhe koha po rrjedh, padyshim që është edhe më e vlefshme, e domosdoshme, e menjëhershme dhe aktuale. Fatkeqësisht duket se interesi, sidomos nga ana e Kryeministrit, në përmbushjen e kushteve të integrimit nuk është ai që duhet të ishte, pasi çdo kusht i përmbushur kërkon që Kryeministri të bëjë hapa mbrapa nga territoret që ka pushtuar në drejtësi, media, dhe drejtime të tjera.

A do angazhoheni më ju për këtë gjë?

Mendoj se përpjekjet dhe vullneti im për të bashkuar palët në një proces të përgjegjshëm dhe efektiv gjithëpërfshirës mori një përgjigje mjaft brutale mëngjesin e 17 majit. Atë mëngjes u shokua jo vetëm populli shqiptar por edhe e gjithë bota demokratike, u shemb në mënyrë të paligjshme jo vetëm Teatri por edhe çdo shpresë që kjo qeveri mund të respektojë parimet e shtetit të së drejtës.

Për më tepër, që u refuzuan jo vetëm thirrjet e mia për të pritur gjykimin e Gjykatës Kushtetuese por edhe ato të Komisionit Europian dhe të shumë partnerëve të tjerë të përgjegjshëm. Megjithatë, unë i nxis palët të shohin mundësinë e rivendosjes së një besimi apo bashkëpunimi në këtë drejtim. Megjithëse duket qartë që ethet e fushatës elektorale kanë nisur dhe integrimi europian duket se ka humbur edhe si retorikë në prioritetin e tyre.

Cili ishte thelbi i mesazhit të diplomatit të huaj?

Ky mesazh po publikohet mbas 7 muajsh, pikërisht sepse është më aktual se kurrë dhe shërben si një kambanë alarmi për të gjithë. Ai tregon se ishte i domosdoshëm si një akt sovraniteti, transparence, por edhe paralajmërimi, për cdo aktor që mban përgjegjësi për dështimet e rënda të Reformës në Drejtësi dhe që tenton ta ndajë këtë dështim me të vetmin aktor të përgjegjshëm, me integritet, super-bashkëpunues, dhe paralajmërues për këto pasoja të zbatimit të njëanshëm dhe në errësirë të Reformës në Drejtësi që është Presidenti i Republikës.

Mesazhi synon të tregojë paaftësinë e ekspertëve ndërkombëtarë të cilët në rastin në fjalë nuk mbështesnin qëndrimin e Presidentit por qëndrimin e z. Dvorani, pra të Kryeministrit Rama, në shkelje të qartë të Kushtetutës për t’i rrëmbyer Presidentit një kompetencë kushtetuese që i takonte vetëm atij.
Presidenti u kishte dërguar të gjithë ambasadave të Bashkimit Europian dhe asaj të SHBA që në 5 nëntor shkresën zyrtare drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruci, Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, dhe Avokatit të Popullit, ku në mënyrë të qartë paralajmëronte që të evitohej një përplasje institucionale dhe kërkonte bashkëpunim për të respektuar Kushtetutën secili sipas radhës.

Presidenti nuk mori asnjë përgjigje zyrtare nga Kryetari i Parlamentit, as nga kryetari i KED, që ishte paralajmëruar se po shkelte Kushtetutën dhe ligjin, por në 8 nëntor, ditë e shtunë, cuditërisht, mediat pro qeverisë shpallën Arta Vorpsin anëtare të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare në mënyrën më të paligjshme dhe më skandaloze.
Përsëri Presidenti nuk hoqi dorë nga përpjekjet e tij bashkëpunuese edhe me komunitetin ndërkombëtar në Tiranë duke ftuar disa përfaqësues kryesorë të tij në takimin e datës 9 nëntor në darkë, ku merrte pjesë edhe Avokati i Popullit që ndante të njëjtat shqetësime me Presidentin.
Presidenti përsëri u sqaroi situatën dhe u kërkoi që të ndërhyjnë meqenëse nuk kishte marrë asnjë reagim nga Kryetari i Parlamentit që të kërkonin nga pala tjetër që të respektonte Kushtetutën dhe i sqaroi se shpallja e Arta Vorpsit ishte tërësisht e paligjshme dhe jo vetëm kaq por edhe se Presidenti nuk mund të pranonte betimin e saj pasi kjo ishte një shkelje e Kushtetutës.

Ndaj për të mos cenuar më tej integritetin e Reformës dhe të ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese Presidenti i siguroi se sapo Parlamenti të zgjidhte të parin e tij Presidenti menjëherë do të zgjidhte të dytin e tij, në mënyrë që të ruhej radha kushtetuese dhe të mos dëmtohej legjitimiteti i këtij procesi.

Po kështu Presidenti u premtoi diplomatëve se në mëngjes herët do të bënte një deklaratë të tillë ku do garantonte se ai do shprehej 24 orë menjëherë për këtë cështje që Parlementi të ishte brenda afateve për të bërë zgjedhjet e tij. Ndërkohë mëngjesin e ditës së nesërme, teksa Presidenti edhe një herë bëri thirrjen publike mjaft konstruktive drejtuar Parlamentit për bashkëpunim, mori atë mesazh në emër të përfaqësuesve të ShBA dhe zyrës së BE të cilin tashmë e kanë parë të gjithë.

Ky mesazh tregon qartë se ekspertët ndërkombëtarë ishin bërë njësh për këtë cështje me Dvoranin dhe mazhorancën dhe kjo u konfirmua për fat të keq edhe në vijimësi me qëndrimet e tyre aspak transparente lidhur me ligjin që sollli mazhoranca për betimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me pretendimin se mazhoranca kishte mbështetjen e ShBA dhe të BE, pra nga Euralius dhe Opdat. Një projektligj që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të qartë dhe për të cilin u thirr edhe Komisioni i Venecias.

Edhe përpara këtyre zhvillimeve unë i kam paralajmëruar përfaqësuesit e SHBA dhe të Zyrës së BE në Tiranë që ekspertët e tyre të mos punojnë në mënyrë të njënashme vetëm me qeverinë dhe mazhorancën dhe të mos shërbejnë shpesh si certifikues të shkeljeve të Kushtetutës apo të ligjeve konsensuale për reformën.
Shpresoj që publikimi i këtij mesazhi me të cilin disa përfaqësues këtu në Tiranë kanë qenë të njohur prej kohësh, prej gjashtë a shtatë muajsh, t’u shërbejë për të nxjerrë mësime dhe për ta nxjerrë zbatimin e reformës nga errësira dhe njëanshmëria në dritë, në transparencë, në mënyrë që të frenohet kjo rënie e lirë e besimit të qytetarëve tek institucionet e reja të drejtësisë.

Cili do jetë roli juaj ndaj Reformës në Drejtësi?

I vendosur dhe i përkushtuar si më 22 korrik 2016 kur si Kryetar i Parlamentit arrita konsensusin e vetëm dhe historik të miratuar me 140 vota. Vetëm kjo arritje i mundësoi Shqipërisë marrjen e rekomandimit për celjen e negociatave me BE, pa kushte, në tetor të vitit 2016. Vetëm zbatimi i saj në këtë frymë do garantojë çeljen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit.  

Për reformën në drejtësi do të bëj gjithmonë atë që predikoj, dhe do të predikoj vetëm atë që bëj: Respektimin e Kushtetutës.

Artikulli i mëparshëm‘Momenti i Europës’/ Çfarë parashikon paketa 750 miliardë Euro
Artikulli i radhësSPAK dhe Prokuroria kundër ligjit të Sandër Lleshit: Nuk i japim llogari ministrit