Një ngjarje e rëndë në Britaninë e Madhe ka vënë nën presion policinë dhe strukturat e mbrojtjes së fëmijëve, pasi një 22-vjeçar me urdhër arresti të pazbatuar për 18 muaj përfundoi duke vrarë vajzën 2-vjeçare të partneres së tij. Rasti ka ekspozuar jo vetëm dështimin e zbatimit të ligjit, por edhe zinxhirin e vendimeve të dyshimta nga disa institucione që kishin pasur kontakte me familjen para tragjedisë.

Dënimet dhe krimi që tronditi opinionin
Harrison Simpson, 22 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm dhe duhet të vuajë të paktën 28 vjet për vrasjen e Isabelle Welsh, e cila humbi jetën në shtator 2025. Sipas raportimeve të mediave britanike, edhe nëna e vajzës, Alexandra Walker, 26 vjeçe, u shpall fajtore për vrasje dhe mori dënim me burgim të përjetshëm, me minimum 21 vjet.
Gjatë gjyqit u paraqitën prova se vogëlushja ishte dhunuar fizikisht dhe seksualisht për muaj të tërë para vdekjes. Isabelle pësoi një dëmtim fatal në tru pasi koka e saj u përplas me forcë në një sipërfaqe të fortë gjatë një episode të dhunshëm më 13 shtator 2025, ndërsa vdiq një ditë më pas në spital.
Urdhri i arrestit që nuk u ekzekutua
Rasti ka marrë një peshë edhe më të rëndë pas pranimit nga Policia e Cleveland se nuk ekzekutoi një urdhër arresti të lëshuar në mars 2024 nga Gjykata e Magjistraturës së Teesside. Kjo i lejoi Simpsonit të qëndronte i lirë, të hynte në një lidhje me Walker dhe të jetonte me të dhe vajzën e saj.
Urdhri ishte lëshuar pasi ai nuk ishte paraqitur në gjykatë për shkeljen e një urdhri mbrojtës ndaj një ish-partnereje, e cila e kishte denoncuar për ngacmim dhe kërcënime. Versioni zyrtar i policisë thotë se ishin bërë disa përpjekje për ta gjetur, por pa rezultat, ndërsa vetë institucioni ka pranuar se kjo periudhë me urdhër arresti të pazbatuar ishte larg standardeve të pranueshme.
Shenja alarmi që nuk u morën seriozisht
Vetëm 12 ditë para vdekjes, Isabelle ishte dërguar në spital për një dëmtim në këmbë dhe ekzaminimet zbuluan një frakturë. Një infermiere ngriti menjëherë shqetësime për sigurinë e fëmijës, por mjekët pranuan shpjegimin e nënës dhe nuk ndërmorën hapa të tjerë.
Në dëshminë e saj, infermierja tha se Walker reagoi me agresivitet kur u përmend mundësia e njoftimit të shërbimeve sociale dhe kërkoi të vizitohej nga një mjek tjetër. Vetëm 11 ditë më vonë, vajza u kthye në spital me plagë fatale. Gjatë procesit gjyqësor, infermierja kujtoi mes lotësh se fëmija ishte i mbuluar me mavijosje nga koka te këmbët.
Edhe shërbimet sociale mbetën pas ngjarjes
Kontakte me familjen kishin pasur edhe strukturat lokale për mbrojtjen e fëmijëve, dy herë gjatë katër javëve para vdekjes së Isabelle, por pa ndonjë ndërhyrje konkrete. Katër ditë para tragjedisë, një vizitore shëndetësore zgjodhi të kontaktonte familjen vetëm me telefon dhe nuk shkoi në banesë për ta parë fëmijën.
Në gjykatë u tha se, pa e parë fare Isabelle, rasti u mbyll me vlerësimin se nuk kishte shqetësime. Pavarësisht kësaj tabloje, një rishikim i autoriteteve lokale arriti në përfundimin se vendimet për të mos e përshkallëzuar rastin kishin qenë të përshtatshme, një qëndrim që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën si institucionet justifikojnë dështimet e tyre edhe kur pasojat janë fatale.
Paralajmërimet brenda familjes
Gjyqi tregoi se Isabelle ishte një fëmijë i shëndetshëm dhe i lumtur përpara se Simpson të hynte në jetën e saj. Lidhja mes çiftit kishte nisur vetëm tre muaj para vrasjes, pasi ishin njohur në Facebook.
Walker kishte nisur të dyshonte për sjelljen e partnerit, veçanërisht pasi ai këmbëngulte ta lante vetëm vajzën. Ajo kishte kontrolluar edhe regjistrin e autorëve të krimeve seksuale, por nuk kishte gjetur emrin e tij. Edhe nëna e saj e kishte paralajmëruar se mbesa dukej sikur po abuzohej.
Pas shpërthimit të debatit publik, Policia e Cleveland tha se ka ndryshuar procedurat për menaxhimin e personave në kërkim dhe ka ngritur një sistem të ri monitorimi për urdhrat e arrestit. Edhe partneriteti lokal për mbrojtjen e fëmijëve njoftoi masa të reja pas vdekjes së Isabelle.
Megjithatë, përtej njoftimeve institucionale pas ngjarjes, rasti mbetet një shembull i rëndë i alarmit të injoruar në disa hallka njëherësh: polici, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Pikërisht aty ku shteti duhej të ndërhynte, një fëmijë mbeti i pambrojtur.
