Kur do të nisë transporti urban në Tiranë? Ky do të jetë maksimumi i kapaciteteve

0

Për më shumë se dy muaj në vendin tonë u ndërpre transporti publik për shkak të goditjes nga koronavirusi.

Ruajtja e distancimit social është një nga pikat që insistojnë mjekët vazhdimisht në media dhe në rrjetet sociale për zbatimin e tij.

Tashmë që ka nisur rihapja e vendit dhe lehtësimi i masave, njerëzit janë të interesuar të dinë se kur do rikthehet transporti publik, nisur nga fakti se shumë aktivitetet ekonomike janë rihapur.

Kreu i shoqatës së transportit urban Rixhin Qosja ka qenë i ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, ku ka folur më gjatë se kur do rifillojë transporti urban dhe si do funsionojë.

I pyetur se a ka ndonjë plan se kur do të hapet transporti, Qosja është përgjigjur se deri tani nuk ka një datë konkrete.

Sipas tij, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës po bashkëpunojnë për të forcuar protokollin e sigurisë dhe mënyrën e operimit.

“Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës janë në kontakte për të gjetur këto modalitetet e fundit, për protokollin e sigurisë, për mënyrën e operimit, skemën financiare që do funksionojë ky shërbim sepse është shumë e rëndësishme dhe unë shpresoj të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Një datë fikse nuk di ta them për momentin.

Ne jemi munduar të adaptojmë ato protokolle sigurie që ka bërë edhe Europa dhe Kosova. Në një mjet transporti publik nuk do qarkullojnë dot më shumë se 25 ose 30 persona në të njëjtën kohë”. Është shprehur Qosja.

I pyetur se cili do jetë maksimumi i kapacitetit, kreu i Shoqatës së Transportit Urban është shprehur se mendohet të reduktohet deri në 25-30 persona.

“Në një mjet urban që është 12 metra i gjatë qëndrojnë ulur dhe në këmbë 100 pasagjerë, ndërsa tani mendohet të reduktohet në 25-30”, u shpreh më tej Rixhin Qosja.

Por a do të sjellë kjo një rritje të çmimit?

Qosja u shpreh se janë kërkuar disa mënyra të tjera sesi ta bëjnë sektorin e transportit të mbijetojë në kushtet e krizës, pa rritur çmimin.

“Të vetmen gjë që nuk e kemi kërkuar është rritja e çmimit.

Sepse edhe po të rritet çmimi nuk do mund ta kompensojë dot humbjen që ne do gjenerojmë nëse dalim në punë si normalisht.

Sepse të transportosh 30% të kapacitetit do të thotë që është humbje çdo ditë. Kështu që ne kemi kërkuar disa mënyra të tjera për të bërë që ky shërbimi të mbijetojë”.

Artikulli i mëparshëmRihapen sallat e gjyqeve, ja si do zhvillohen seancat/ A është e mundur të zbatohen në praktikë ato që parashikon qeveria?
Artikulli i radhësParashikimi/ Ja si do të jetë moti për ditën e sotme