“Numri i ulët i testimeve fsheh realitetin”, Spahia: Rama gënjen për kapacitetin testues

0

Përmes ish deputetit Bardh Spahia, PD akuzoi sot kryeministrin Rama se gënjeu kur deklaroi se Shqipëria mund të kryejë 2 mijë testime në ditë. Sipas demokratëve, numri I ulët i testimeve fsheh realitetin e përhapjes së virusit.

Deklarata e plote:

Sot bëhet një muaj që kur në Shqipëri u zbulua rasti i parë me COVID 19.  Ky muaj i vështirë ka provuar në mënyrë të përsëritur se qeveria ishte e papërgatitur për të përballuar krizën e krijuar nga koronavirusi.

Shqipëria kishte pak kite për të testuar sa më shumë të dyshuar, sepse qeveria veproi me shumë vonesë për t’i siguruar, pavarësisht thirrjeve tona të hershme. Në përpjekje për të mbuluar dështimin në furnizimin e mjaftueshëm me kite për teste, Edi Rama e mbajti sekret sasinë e tyre dhe, kur u detyrua të fliste, ai gënjeu.

Deklarata e tij se ne jemi të gatshëm të bëjmë 2 mijë teste në ditë, u përgënjeshtrua nga Ministrja e Shëndetësisë dhe nga vetë Komiteti i Ekspertëve të Edi Ramës.

Gënjeshtrat e Edi Ramës janë të rrezikshme. Numri i vogël i testimeve fsheh përhapjen reale të virusit. Sa më pak testime, aq më e pakët mundësia për të izoluar virusin dhe për të ndërprerë zinxhirin e përhapjes së tij.

Me urimin që sasia e re e furnizimit me kite testuese të vijë sa më shpejt dhe duke falenderuar partnerët tanë për ndihmën e madhe që po na japin, Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të rrisë numrin e testimeve mes qytetarëve. Kështu do të dimë përmasën reale të dëmit të shkaktuar, të papenguar nga gënjeshtrat e kryeministrit dhe do të kuptojmë më mirë se kur mund të kthehemi në normalitet.

Artikulli i mëparshëmCOVID-19/ Apple nis prodhimin e maskave mbrojtëse. Një shembull se si të gjithë mund të japin kontributin e tyre në këtë “luftë”
Artikulli i radhësCOVID-19/ Dorëhiqet kryeshkencëtari i BE-së. Ju refuzuan propozimet për të luftuar koronavirusin