Një viktimë dhe 9 të plagosur në 6 aksidente brenda 12 orësh, alarm në rrugët e vendit

0

Rrugët në vend shënuan një tjetër ditë të rëndë, me gjashtë aksidente të regjistruara brenda 12 orësh dhe një bilanc që ngre sërish pikëpyetje për sigurinë rrugore: një viktimë, nëntë të plagosur dhe disa akse të bllokuara nga trafiku.

Një viktimë dhe 9 të plagosur në 6 aksidente brenda 12 orësh, alarm në rrugët e vendit

Përplasje të njëpasnjëshme nga Fieri në Tiranë

Në mesditë, një aksident i rëndë u regjistrua në aksin Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës.

Nga goditja mbetën të plagosur katër persona, të cilët u dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit.

Pak më vonë, në autostradën Durrës–Tiranë, para Sukthit në drejtim të kryeqytetit, ndodhi një aksident zinxhir ku u përfshinë shtatë automjete. Në këtë rast u raportuan vetëm dëme materiale, por lëvizja në aks u rëndua ndjeshëm dhe u krijuan radhë të gjata.

Aksidente të tjera në Lushnjë dhe Fier

Rreth orës 13:30, në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër nacional Lushnjë–Berat, një automjet u përplas me barrierat anësore të një ure dhe, pas disa rrotullimeve, përfundoi i kthyer në njërën anë në mes të rrugës.

Si pasojë, drejtuesja e mjetit, 28 vjeçe, u transportua në Spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.

Një tjetër i plagosur u regjistrua në lagjen Sheq i Madh, në Fier, ku drejtuesi i një motomjeti mbeti i lënduar pas përplasjes me një automjet.

Viktima në Ksamil, policia jep versionin paraprak

Aksidenti më i rëndë i ditës u shënua në mbrëmje në rrugën e Plazhit, në zonën e Lagunës në Ksamil. Sipas policisë, rreth orës 18:10, një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga një 22-vjeçar me inicialet A. Gj., doli nga rruga pasi drejtuesi humbi kontrollin.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje pasagjeri Antonio Mateli, 20 vjeç. Drejtuesi i automjetit u dërgua në spital dhe, sipas informacionit paraprak të policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Tre të plagosur në Elbasan–Cërrik

Pak pas orës 19:30, një tjetër përplasje u regjistrua në aksin nacional Elbasan–Cërrik, ku një automjet dhe një furgon u përplasën me njëri-tjetrin.

Nga ky aksident mbetën të plagosur tre persona, duke e çuar në nëntë numrin total të të lënduarve të raportuar gjatë ditës.

Bilanci i këtyre orëve e kthen sërish në qendër çështjen e sigurisë në rrugë, ndërsa institucionet vijojnë zakonisht të japin vetëm njoftime fragmentare pas ngjarjeve, pa një panoramë të plotë mbi shkaqet, kontrollet dhe masat parandaluese.

Deri tani, versionet zyrtare për disa prej aksidenteve mbeten paraprake.

Artikulli i mëparshëmAksident fatal në Ksamil, humb jetën 20-vjeçari pasi furgoni i mallrave doli nga rruga
Artikulli i radhësProtesta e 65-të para Kryeministrisë, një tubues humb ndjenjat gjatë marshimit