Të dhënat sensitive në spitalet private dhe shoqëritë e sigurimit, shtohet kërkesa për infrastrukturën kritike

0

Të dhënat sensitive të individëve që marrin shërbime pranë spitaleve private, subjektet jobanka si dhe kompanitë e sigurimeve duhet të jenë të mbrojtura nga sulmet në internet.

Një vendim që po hartohet nga qeveria synon pikërisht përfshirjen e këtyre kategorive në listën e atyre që klasifikohen me infrastrukturë kritike sa i takon rëndësisë së informacionit që disponojnë dhe ruajtjes së tij. Autoriteti Kombëtar për Çertifitikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike bëri me dije se aktualisht është duke u punuar në këtë drejtim.

“Në zbatim të Ligjit Nr.2/2017, “Për Sigurinë Kibernetike”, dhe VKM-së Nr. 222, date 26.04.2018, “ Për Miratimin e Listës së Infrastrukturave Kritike të Informacionit dhe listës së Infrastrukturave të Rëndësishme të Informacionit ”, është bashkërenduar puna me sektorin privat të shëndetësisë, subjektet jo banka dhe shoqëritë e sigurimeve, si potencial operatorësh që disponojnë infrastruktura informacioni me të dhëna sensitive.

Nga ky bashkëpunim, këto infrastruktura janë identifikuar si infrastruktura kritike dhe të rëndësishme dhe është duke u draftuar akti për ndryshimin e VKM-së së sipërpërmendur, duke i shtuar këto tek lista aktuale e miratuar” thuhet në dokumentin e AKCESK.

Po kështu dokumenti bën me dije se janë kryer kontrolle dhe inspektime pranë ALEAT që ka koncesionin e lëshimit të dokumenteve zyrtare pasaportë dhe kartë identiteti.

“Është kryer kontrolli/inspektimi periodik në zyrën qendrore (PKI) dhe në 82 zyra të ALEAT për mbikëqyrjen e veprimtarisë në tërësi, mbi përmbushjen e kritereve dhe specifikimeve teknike për lëshimin e certifikatave të kualifikuara nga ky Ofrues i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar. Gjithsej për vitin 2019 nga ALEAT, janë lëshuar 812600 Certifikata të kualifikuara për qytetarët dhe janë kryer 82817 transaksione të suksesshme me autentifikimin elektronik/ nënshkrim elektronik në bankat e nivelit të dytë” vlerëson raporti.

I njëjti bën me dije se është kryer kontrolli/ inspektim periodik i Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, për mbikëqyrjen e veprimtarisë ne rolin si Ofrues i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar (OKSHB). Gjithsej nga ky OKSHB janë lëshuar rreth 3000 Certifikata të kualifikuara për administratën publike dhe subjekte private.

Artikulli i mëparshëmRikthimi i La Liga-s: 32 ditë me futboll, kalendari i plotë i takimeve
Artikulli i radhës26 raste pozitive në 24 orët e fundit. QSUT vatra më e madhe në vend