Një valë zjarresh po godet njëkohësisht disa zona nga Shtetet e Bashkuara deri në Ballkan, ndërsa autoritetet në disa vende kanë kaluar në masa të shtuara gatishmërie. Bilanci i deritanishëm flet për qindra vatra aktive, mijëra të evakuuar dhe sipërfaqe të mëdha të përfshira nga flakët.

SHBA në gatishmëri maksimale
Shtetet e Bashkuara e kaluan të shtunën në nivelin maksimal të gatishmërisë, për shkak të përhapjes së zjarreve në disa shtete.
Sipas autoriteteve federale, ishin raportuar 149 incidente aktive, mes tyre 88 zjarre të mëdha ende të pakontrolluara. Në operacionet në terren janë angazhuar rreth 29 mijë e 400 forca.
Situata paraqitet më e rënduar në veriperëndim të vendit, ku në Oregon dhe Uashington kanë vijuar evakuimet dhe mbylljet e rrugëve.
Kanadaja përballet me vatra të mëdha
Në Kanada, zjarri i quajtur “Bald Range” në Kolumbinë Britanike ka arritur mbi 20 mijë hektarë.
Të shtunën në mbrëmje u shpallën alarme të reja evakuimi për disa komunitete, ndërsa në zona të tjera një pjesë e banorëve kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre.
Flakët mbeten aktive në disa vende të Evropës
Në Evropë, zjarret vijojnë nga Spanja në Francë. Në Hueska të Spanjës, flakët kanë djegur mbi 15 mijë hektarë dhe kanë detyruar më shumë se një mijë banorë të largohen.
Në jugperëndim të Francës janë evakuuar mbi 500 persona, ndërsa në Gjermani zjarri më i madh i regjistruar në Renaninë Veriore-Vestfali u stabilizua të shtunën, pasi më herët mbi dy mijë banorë u larguan nga shtëpitë.
Ballkani nën presion të lartë
Në Ballkan, Greqia raportoi mbi 50 zjarre brenda 24 orëve dhe këtë të diel mban në alarm të lartë Atikën, Eubenë, Cikladet dhe Kretën.
Ndërkohë, Kroacia po vijon ndërhyrjen në ishullin Dugi Otok, ndërsa Serbia po përballet me dhjetëra vatra aktive.
Shtrirja e zjarreve në disa kontinente njëherësh po rrit presionin mbi shërbimet e emergjencës dhe po nxjerr në pah brishtësinë e reagimit përballë vatrave të mëdha që përhapen me shpejtësi.
Deri tani, panorama mbetet e paqëndrueshme në disa prej zonave më të prekura, me evakuime, kufizime lëvizjeje dhe rrezik të shtuar për komunitetet pranë vatrave aktive.
