Qiproja është zotuar të mbulojë të gjitha shpenzimet e pushimeve për këdo që testohet pozitivisht gjatë udhëtimit në ishull. Në një letër të bërë publike një ditë më parë, qeveria tha se do të paguante për akomodimin, trajtimin mjekësor, si dhe ushqimin për pacientët dhe familjet e tyre.
Turistët “do të duhet të mbajnë vetëm koston e transferimit të aeroportit dhe fluturimit të riatdhesimit”.
Kjo nismë është pjesë e një pakete masash që synojnë tërheqjen e sa më shumë turistëve në ishull, i cili ka raportuar pak raste.
Deri më tani vendi ka konfirmuar 939 raste dhe vetëm 17 vdekje.
Vitin e kaluar turizmi zuri 15 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, dhe qeveria po përpiqet të sjellë përsëri turistët në ishull sa më shpejt të jetë e mundur.
“Goditja është masive, dhe ne po përpiqemi të bëjmë çmos tani dhe po bëjmë të pamundurën për pjesën e mbetur të sezonit”, tha zëvëndësministri i turizmit, Savvas Perdios.
“Ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë për ta mbajtur virusin në kontroll këtu”.
Zyrtarët thanë gjithashtu se një spital me 100 shtretër do të jetë në gatishmëri posaçërisht për turistët që testohen pozitivisht, si dhe disa të ashtuquajtura “hotele karantinë” për familjet e pacientëve.
Qiproja planifikon të rihapë aeroportet e saj në 9 qershor me një numër vendesh që konsiderohen me rrezik të ulët infeksioni, përfshirë Gjermaninë, Greqinë, Izraelin dhe Maltën.
Turistët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, që përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjithë pushuesve në Qipro ka të ngjarë të lejohen të udhëtojnë në ishull në korrik, deklaroi zëvendësministri.
Javën e kaluar 11 shtete anëtare si: Austria, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Gjermania, Greqia, Italia, Malta, Portugalia, Sllovenia dhe Spanja ranë dakord për një sërë rregullash që synojnë lejimin e udhëtimit ndërkufitar ndërsa minimizojnë rrezikun e infeksioneve të Covid-19./BBC