Zbulohet shkaku i arrestimit të drejtorit të burgut 313 në Tiranë, Eduart Struga. Arrestimi i tij dhe 2 personave të tjerë ka ardhur pasi dyshimeve për favorizim për marrjen në zotërim të një dyqani në brendësi të burgut. Çdo burg ka nga 1 dyqan dhe pikërisht leja që i është dhënë shtetasit E.K, është bërë kundrejt mitës prej 550 mijë lek të reja.
Eduart Struga së bashku me vartësin e tij, shefin e logjistikës me inicialet F.A. dhe E.K janë pjesë e kësaj skeme. SPAK njofton se hetimet nisën pas kallëzimit nga një person lidhur me aferën. Sipas SPAK, drejtori dhe vartësi i tij i arrestuar kanë kërkuar një shumë të konsiderueshme dhe kanë marrë rreth 550 mijë lekë të reja, nga personi që kishte në përdorim dyqanin në ambientet e burgut. Në momentin e arrestimit shefit të logjistikës i janë sekuestruar 100 mijë lekë, që sipas SPAK-ut janë përfitim i paligjshëm nga personi që kishte në përdorim dyqanin brenda burgut.
Njoftimi
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.03.2020, mbi bazën e kallëzimit të një shtetasi, ka regjistruar procedimin penal nr.89/2020, për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Pas regjistrimit të procedimit penal u përdorën metoda proaktive dhe tradicionale të hetimit, falë të cilave, sot me datën 03.04.2020, strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Eduard Struga, me detyrë Drejtor i IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë; shtetasin F. A., me detyrë Shef i Logjistikës i IEPV-së ″Jordan Misja″, Tiranë dhe shtetasin E. K., përfaqësues i një subjekti tregtar. Shtetasit F.A., iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, shuma prej 100 mijë lek, objekt përfitimi të parregullt.
Funksionarët publikë të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij hetimi, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar dhe marrë shuma të konsiderueshme parash, (rreth 550 mijë lek) si përfitim i parregullt, në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregtar në ambientet e brendshme të IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë.
Ndërkohë shtetasi E.K., i arrestuar në flagrancë, i ka dhënë funksionarëve publikë, si përfitim të parregullt, shuma të konsiderueshme parash.
Prokuroria e Posaçme falënderon kallëzuesin për kurajën dhe inkurajon çdo shtetas që të bëjë kallëzim në rastet kur zyrtarë publik abuzojnë me detyrën dhe kërkojnë përfitime të parregullta.
Prokuroria e Posaçme falënderon gjithashtu dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të përfshira në hetimin e këtij rasti për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e treguar. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vazhdojnë.