“Lufta e maskave”, akuza ndaj SHBA për “pirateri moderne”, me devijimin e maskave që ishin destinuar për në Europë

0

SHBA është akuzuar për “pirateri moderne”, pasi raportohet se ka devijuar një dërgesë maskash fytyre të destinuara për Policinë gjermane, si dhe duke ofruar pagesa më të mëdha se vendet e tjera në tregun global, gjithnjë e më në kërkim për pajisjet mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Rreth 200,000 maska N95 të bëra nga prodhuesi GM u dërguan në SHBA, ndërsa po transferoheshin ndërmjet avionëve në Tajlandë, sipas autoriteteve të Berlinit, që kishin porositur maska për forcat e Policisë.

Andreas Geisel, Ministri i Brendshëm për shtetin e Berlinit, e përshkroi devijimin si “një akt piraterie moderne” dhe i bëri thirrje qeverisë gjermane të kërkojë që Uashingtoni të përputhet me rregullat e tregtisë ndërkombëtare.

“Kjo nuk është mënyrë për të trajtuar partnerët trans-Atlantikë”, tha Geisel. “Edhe në kohë krize globale, nuk duhet të ketë metoda të egra perëndimore”.

Ai u bashkua me një kor në rritje të ankesave në lidhje me praktikën e administratës Trump, pasi SHBA-ja ushtron ndikimin e saj në tregun për furnizime mjekësore të pakta, që po bëhet i lirë për të gjithë, me kombet që po konkurrojnë kundër njëri-tjetrit.

Një ditë më parë u ankua Valerie Pecresse, presidentja me ndikim e rajonit Ile-de-France, që përfshin Parisin, e cila e përshkroi garën për të marrë maska si një “gjueti thesari”.

“Gjeta një sasi masakrash që ishte në dispozicion dhe e porosita, por amerikanët (nuk po flas për qeverinë amerikane) por amerikanët, na i morën duke ofruar më shumë”, tha Pecresse. “Ata ofruan tre herë mbi çmimin dhe propozuan të paguanin përpara. Unë nuk mund ta bëj këtë. Unë po shpenzoj para të taksapaguesve dhe mund të paguaj vetëm në dorëzimin e mallit, duke kontrolluar cilësinë”, tha ajo.

Komentet e saj pasojnë akuzat e dy krerëve të tjerë rajonalë francezë, që blerësit e paidentifikuar amerikanë tejkalojnë me pagesa të larta dërgesat e maskave, duke përfshirë një rast kur një dërgesë raportohet se u devijua kur sapo do të nisej në Francë.

Mediat franceze kanë nisur të përdorin frazën “lufta për maska”.

Kompania amerikane 3M, e cila e prodhon maskën N95 (e cila siguron mbrojtje më të mirë sesa një maskë kirurgjike e zakonshme) tha të premten se administrata Trump i kishte thënë që të ndalonte eksportimin e maskës në Kanada dhe Amerikën Latine.

Kompania tha se kërkesa ngre “implikime të rëndësishme humanitare” dhe do të shkaktonte hakmarrje nga vendet e tjera.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se masa e SHBA ishte një “gabim”, duke theksuar se SHBA-ja gjithashtu importon furnizime mjekësore nga Kanadaja.

Në përleshjen për maska dhe pajisje të tjera kritike mjekësore, SHBA ka një avantazh të rëndësishëm në flotën e saj të transportuesve të mëdhenj të ajrit, trefishi i madhësisë së atyre të Kinës. Blerësit nga qeveritë kombëtare, shtetet amerikane dhe blerësit privatë po kalojnë nëpër një rrjet ndërmjetësish, shumë prej tyre në Shangai.

Një ndërmjetës, Michael Crotty, i cili drejton “Golden Pacific Fashion & Design” në Shangai, tha për “New York Times” se fabrikat kineze nganjëherë zhvendosin të parat kërkesat e klientëve që paguajnë më shumë. “Është tregu i një shitësi. Kjo situatë nuk ndodh shumë shpesh”, tha Crotty.

Lidhjet personale shpesh ofrojnë një avantazh vendimtar.

Robert Kraft, një biznesmen miliarder amerikan, i huazoi një Boeing 767 këtë javë guvernatorit të Masaçusets, Charlie Baker, i cili po përpiqej të transportonte 1.2 milionë maska që kishte blerë në Kinë.

Avioni ishte një nga dy mjetet e blerë për ekipin NFL të “New England Patriots”, i cili ndihmoi në organizimin e dërgesës, me ndihmën e konsullit të përgjithshëm të Kinës në Nju Jork, Huang Ping, i cili mbajti zyrën e tij të hapur gjatë fundjavës për të përpunuar dokumentacionin, sipas një llogarie në faqen e internetit të “Patriots”. Aeroplanit iu lejua të ulej, për aq kohë sa ekuipazhi nuk zbriste dhe ai qëndroi në tokë në Shenzhen për më pak se tri orë dhe u nis menjëherë.

Duke folur të enjten para aeroplanit, Baker ishte me emocion.

“Kjo pajisje do të bëjë një ndryshim të madh. Nuk është sekret që sigurimi i pajisjeve mbrojtëse personale ka qenë një sfidë e madhe. Dhe ne do të vazhdojmë të gjejmë mënyra për të marrë më shumë pajisje për të mbajtur të sigurt punonjësit tanë të frontit kundër koronavirusit. Kemi nevojë për më shumë, gjithmonë do të na duhen më shumë”.

Shtetet e SHBA-së e kanë gjetur veten të konkurrojnë edhe kundër njëri-tjetrit dhe qeverisë federale për pajisjet mbrojtëse. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha këtë javë se ishte si “të jesh në eBay me 50 shtete të tjera”.

Guvernatorët e shteteve mësuan se ata nuk mund të mbështeteshin në rezervat kombëtare që po mbaronin shpejt, veçanërisht pasi Donald Trump e bëri të qartë se ndihma federale do të preket nga preferencat politike, duke thënë se ai dëshironte që qeveritarët të ishin “mirënjohës”.

Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave të SHBA-së po bashkërendon fluturimet për blerësit amerikanë, por deri më tani nuk e ka kombëtarizuar rrjetin e shpërndarjes, duke argumentuar se shpërndarësit privatë mund të bëjnë një punë më të mirë.

Qeveritë janë akuzuar për përdorimin e metodave të tjera të fshehta për të siguruar furnizime, duke përfshirë ndalimin e eksporteve të pajisjeve mbrojtëse.

Edhe Brazili ka thënë se përpjekjet e fundit për të blerë pajisje mbrojtëse nga Kina kishin rënë. “Ekziston një problem i kërkesës së tepërt”, tha ministri i shëndetësisë, Luiz Henrique Mandetta, të mërkurën.

Ndërsa kërkesa globale rritet, po kështu ekzistojnë dyshimet për taktikat e blerjes, veçanërisht kur dërgesat vonohen ose anulohen.

Një dërgesë prej 10,000 maskash të blera për spitalet në Montreal, Kanada, u devijua në mënyrë misterioze në shtetin amerikan të Ohajos javën e kaluar, sipas tabloidit kanadez “Le Journal de Montreal”.

Blerësi, Fan Zhou, i kishte nisur ato në Kanada duke përdorur DHL-në dhe ishte duke u përpjekur të kontaktonte firmën e transportit detar për të konstatuar pse ishin dërguar në Cincinnati. Zhou nuk sugjeroi që maskat ishin devijuar me qëllim.

Pasi historia u botua në “Le Journal” dhe u përmend në një konferencë shtypi, DHL i tha Zhou se një “gabim kompjuterik” kishte sugjeruar që maskat të ishin rrugës për Ohajo, por ata kurrë nuk e kishin lënë Quebec.

Zhou tha se kishte marrë disa nga maskat, por jo të gjitha dhe ishte skeptik ndaj përgjigjes së DHL.

“Ky është shpjegimi i tyre. Ky nuk është shpjegimi im”, tha Zhou.

“Le Journal” e citoi atë duke thënë se kishte qenë e vështirë për të siguruar maskat, pasi qeveria kineze kishte përparësi, domethënë marrëveshjet e huaja duheshin të kalonin nëpër “kanale jotradicionale”.

Artikulli i mëparshëmItali/ Shtohen 2886 raste të reja në 24 orët e fundit. Më pak persona në trajtim intensiv
Artikulli i radhësInstagram/ Nuk do ta besoni! Ja kush e qethë në karantinë CR7