Mbyllet Mali Everest. Vendasit duan ta pastrojnë: Pa alpinistë gjithçka, më e thjeshtë

0

Këtë vit, Everesti, maja më e lartë në botë, tashmë edhe në klasifikimin vendeve më të mëdha me mbeturina – nuk do të pastrohet.

Qeveria e Nepalit rrëzoi një kërkesë që mbështetej te nevoja urgjente për të hequr materialet e mbeturinave nga zonat në lartësinë mbi 5 mijë metra. ‘Lockdown’ (izolimi) do t’u jepte mundësinë sherpave dhe ushtarakëve të përfshirë në këtë operacion të vepronin pa u penguar prej alpinistëve, që në kushte normale bëjnë kampingje dhe u ngjiten rrugëve që të çojnë në majë.

Tenda, bombola, pajisje për ngjitje të hedhura, pasi janë prishur ose se nuk janë më të dobishme – aty ku lartësia dhe rrallimi i ajrit të detyrojnë të pakësosh përpjekjet, dhe ku jeta vihet në rrezik. Duke mos harruar edhe kufomat e alpinistëve, që nuk ia dolën të fitojnë betejën e tyre dhe që kolegët e tyre i përdorin si pikë referimi

Everesti është shndërruar në një ‘kazan’ të madh plehrash. Para shpërthimit të pandemisë, këtë vit, qeveria e Nepalit, me një program ambicioz, kishte vendosur t’i pastronte. I planifikuar të niste në mars, pastrimi do të bëhej në 5 maja dhe do të përfshinte ushtrinë nepaleze dhe guidat lokale.

Një ushtar nepalez grumbullon mbeturinat e mbledhura në Everest në vitin 2019

“Për fat të keq, kjo nuk do të jetë e mundur, këtë sezon”- tha për Agjencinë FrancePresse, Danduraj Ghimire, drejtues i departamentit qeveritar të turizmit.

Vitin e kaluar, një ekip me 14 persona kaloi 6 javë mes kampit bazë (5364 metra) dhe kampit 4 (në thuajse 8 mijë metra) i angazhuar në një operacion të ngjashëm. Ata mblodhën më shumë se 10 tonë bombola oksigjeni, shishe plastike, pajisje për ngjitje, si dhe zbritën në luginë kufomat e katër alpinistëve të ndjerë. Këtë vit, me mbylljen e së gjithë zonës, mund të bëhej edhe më shumë. Shoqatat e alpinistëve lokalë, duke u mbështetur në këtë pikë, kishin shfaqur gatishmërinë të nisnin një fushatë në mes të marsit. Por tashmë, “jo” është përfundimtare.

“Qeveria duhet t’u japë lejen një ekipi nepalez të ngjiten, ekskluzivisht për të pastruar malin, – tha Santa Bir Lama, kryetar i shoqatës lokale të alpinistëve. – Përveç përfitimeve mjedisore do të ishte një mundësi e mirë dhe për sherpat, për t’i dhënë punë, të cilët do të humbin të gjithë të ardhurat e tyre në vitin 2020”.

Bombola oksigjeni transportohen nga mushkat në kampin bazë në një prej nismave të shumta për pastrimin e Everestit

“Me malin e shkretë, puna jonë do të ishte shumë më e shpejtë dhe e thjeshtë: mund të zbresim poshtë edhe mbeturinat që ndodhen aty prej vitesh – thotë Pasang Nuru Sherpa, një ndër pjesëtarët e ekipit që ka pastruar Everestin në vitin 2019. Vitin tjetër, ne do të gjejmë vetëm më shumë borë dhe materiale sedimentare. Puna jonë do të bëhet edhe më e vështirë”.

Alpinistët e huaj paguajnë të paktën 30 mijë dollarë (27.500 euro) për t’u ngjitur në majën më të lartë të botës, 11 mijë vetëm për të marrë leje. Por duket se nuk tregojnë shumë kujdes për mjedisin që do të gjejnë ata që do të vijnë pas tyre.

Qeveria nepaleze rimburson me 4 mijë dollarë ata që në fund të udhëtimit sjellin me vete të paktën 8 kg mbeturina dhe vetëm një alpinist në dy e kërkon dhe përfiton rimbursimin në fund të aventurës. Vitin e kaluar, mes prillit dhe fundit të majit – në Everest u ngjitën një numër rekord prej 885 alpinistësh.

*Sherpat është një ndër grupet etnike autoktone të rajoneve më malore të Nepalit dhe Himalajave. Fjala sherpa apo sherwa vjen nga fjala në gjuhën sherpa Shyar (“lindje”) e Pa (“popull”), që u referohet origjinës së tyre gjeografike në Nepalin lindor.

Burimi: La Repubblica/ monitor.al

Artikulli i mëparshëmKlasifikimi i Forbes. Zbuloni miliarderët e botës së futbollit
Artikulli i radhësRama: Plani jonë i hapjes i ngjashëm me atë të Austrisë