Nga Neritan Sejamini
Qeveria vendosi një sërë masash të reja për të lehtësuar pasojat ekonomike të krizës së koronavirusit: do t’u japë 176 mijë individëve që kanë humbur rrogën një pagesë të vetme prej 40 mijë lekë (rreth 320 euro); një garanci 15 miliardë lekë garanci për hua zhvillimore.
Si duhen gjykuar e gjithë ndihma e deritanishme? Në dy kritere: si krahasohet ajo me mundësitë e qeverisë, dhe sa mund t’i arrijë ajo qëllimet për të cilat po jepet.
Sa shumë para po jep qeveria?
Në total me të dy paketat, qeveria do të japë 13,5 miliardë lekë (rreth €108 milionë) për rrogat e humbura dhe 4,5 miliardë lekë (€36 milionë për shëndetësinë dhe ndihmë për shtresat në nevojë—16 miliardë lekë ose rreth €144 milionë euro në total.
Kjo shumë është sa rreth 2,87 për qind e buxhetit të vitit 2020 ose 0,97% e prodhimit të përgjithshëm të vendit (në nivelin e vlerësuar për vitin 2019).
Është fond minimal, plotësisht i përballueshëm nga buxheti pa patur nevojë për të marrë borxh, por vetëm duke shkurtuar aktivitete e shërbime të panevojshme.
Sa për një ide krahasuese, fondi i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes (pa rrogat) këtë vit është 50 miliardë lekë—mbi tre herë më i lartë se fondi për krizën e koronavirusit.
Qeveria ndërkohë ka marrë që tani hua dhe ndihmë. Vetëm dy javët e fundit ka marrë €120 milionë euro borxh nga publiku, nga shitja e bonove të thesarit; €174 milionë hua nga FMN-ja për situatën emergjente dhe €50 milionë ndihmë falas nga BE-ja po për nevojat e krizës—€344 milionë, €294 milionë hua dhe €50 milionë falas.
Gati gysma e €108 milionë për rrogat do të kompensohen nga ndihma e BE-së—nuk ka rëndësi qe €50 milionët e BE-së mund të përdoren direkt për tjetër nevojë.
€93 milionët e mbetura nga totali që ka dhënë qeveria—€58 milionët e mbetura për pagesat dhe €35 milionët për shëndetësinë dhe mbështetjen sociale—mund të paguhen fondet e dy huave të mësipërme.
Kjo do të thotë se edhe pasi të ketë paguar të gjitha fondet që ka premtuar në të dyja paketat deri më sot, qeverisë do t’i mbeten €201 milionë të tjera vetëm nga fondet e marra këto dy javë nga publiku, FMN-ja dhe BE-ja.
Nuk po përfshi në këtë vlerësim, €105 milionë të tjera që BE ka dhënë për pasojat e tërmetit—në fakt vetëm me fondet që po merren nga BE-ja kompensohen thuajse të gjitha pagesë që ka bërë qeveria deri më sot për koronavirusin dhe tërmetin bashkë.
Për ta mbaruar këtë vlerësim shifrash, qeveria ka premtuar 15 miliardë lekë (rreth €120 milionë) garanci sovrane për huatë nxitëse për bizneset (po e anashkaloj pagesën e interesit që është ende e paqartë).
Por qeveria nuk ka nevojë të bllokojë apo angazhojë fonde konkrete për të dhënë garancinë sovrane. Edhe pse kjo shumë do të llogaritet në borxhin e publik, efekti i saj në buxhetin e këtij viti është zero—në varësi të kohëzgjatjes, periudhës fillestare të mospagimit, dhe nivelit të moskthimit në të ardhmen të huave nga bizneset, do të vendoset ndikimi i garancisë buxhetin e viteve të ardhshme.
Garancia e parë prej 100 miliardë lekësh për huatë e biznesit të madh për rroga ishte dështim, ndaj nuk po ndalem në të.
A do të arrijë kjo ndihmë qëllimin ndihma e dhënë?
Angazhimi i mangët financiar i qeverisë bëhet më i dukshëm nëse vlerësohet ndikimi i mundshëm i ndihmës së angazhuar: sa e lehtëson ajo gjendjen e familjeve dhe sa mund t’i ndalë ajo pushimet masive të punonjësve?
Po e filloj nga e dyta. Në mënyrë paradoksale, ndihma prej 40 mijë lekë do të jepet vetëm për punonjësit e bizneseve të mëdha tw pushuar nga puna. Nëse bizneset nuk i pushojnë punonjësit, duhet t’ua paguajë vetë rrogat—ky është stimul negative: bizneseve do t’u interesojë t’i pushojnë njerëzit nga puna, aq më tepër që me këtë nivel papunësie rimarrja në punë është e lehtë.
Në fakt, një pagesë e vetme 40 mijë lekë për 176 mijë të punësuar nuk garanton qendrimin e askujt në punë—kjo shumë është thjesht sa një rrogë mujore (përfituesit janë të detyruar të paguajnë edhe rreth 8 mijë lekë në muaj sigurime shoqërore), ndërkohë që shumë biznese do të vuajnë për shumë muaj pasojat e krizës.
Turizmi dhe sektorët e lidhur me të kanë humbur punën apo të ardhurat e gjithë vitit; fasonët kanë humbur punën e një pjesë të madhe të vitit; është e arsyeshme të thuhet se thuajse të gjitha bizneset nuk do të arrijnë të fillojnë ngritjen para shtatorit—rënia e fuqisë blerëse të njerëzve dhe sezoni i verës janë faktorë negativë për shumë aktivitete ekonomike.
Në këto kushte mund të thuhet me siguri se një pagesë e vetme 40 mijë lekë për punonjës nuk do mund të ndalë pushimet masive nga puna.
Sa i përket lehtësimit të jetesës, 40 mijë lekë natyrisht është më shumë se asgjë—për disa familje ajo mund të jetë diferenca mes urisë dhe mbijetesës. Por kjo shumë nuk do të mund shmang varfërinë në shumicën e familjeve shqiptare të cilët do të mbeten pa asnjë të ardhur për disa muaj rresht.
Si rezultat, Shqipëria do të ndeshet me një nivel të rritur të varfërisë dhe pasojave të saj dhe me rendiment të ulët ekonomik.
Mendime të vogla
Qeveria po tregohet e kursyer në mënyrë të paarsyeshme, çfarë mund të sjellë më shumë pasoja për njerëzit, ekonominë dhe vetë financat publike në përiudhën afatmesme.
Është e vërtetë se ajo po pret që të bien të ardhurat buxhetore pasi aktiviteti ekonomik i vendit do të tkurret këtë vit—FMN parashikon rënie 5% të ekonomisë.
Por qeveria mund të lirojë dhe sigurojë para. Ajo mund të ndërpresë apo ulë shpenzimet joproduktive, jo të domosdoshme për të kompensuar rënien e të ardhurave.
Mbi të gjitha, ajo mund dhe duhet të marrë borxh.
Qeveria ka mundësinë dhe duhet të sigurojë të paktën €1,5-2 miliardë hua apo ndihma për lehtësimin dhe nxitjen e ekonomisë.
Dhe duhet ta bëjë menjëherë—nëse nuk e bën tani, pas pak muajve apo javëve do të jetë vonë. Humbjet në ekonomi në 1-2 vitet e ardhëshme do të jenë shumë më të mëdha se kursimet e këtij viti.
Ekonomia vepron me stimuj dhe varet snga faktorë psikologjikë—biznesi duhet ta dijë sot se çfarë ndihme do të marrë dhe cili është plani ekonomik i qeverisë.
Prandaj, garantimi me çdo kusht i ruajtjes së rendimentit ekonomik dhe rindezjes së shpejtë të ekonomisë duhet të dominojë mbi instiktin për menaxhimin mediokër të financave publike të këtij viti.
I shtrenjtë në krunde, i lirë në miell—është qasje e gabuar për ekonominë në krizë./exit.al