Futbolli amerikan është pezulluar. Ashtu si basketbolli, hokeji në akull apo edhe bejzbolli. Katër sportet kryesore në Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar aktivitetin për shkak të pandemisë koronavirus. Por, përtej Atlantikut ka një përjashtim dhe ai është wrestling.
Sporti popullor, që ndër vite ka prodhuar personazhe të njohur në mbarë botën ka siguruar leje të veçantë për të vijuar aktivitetin.
Wrestling është cilësuar “thelbësor për ekonominë” në Florida dhe gjatë kësaj jave pritet, ky sport pritet të kthehet në arenë, edhe pse pa publik.
Liga e WWE konfirmoi nëpërmjet një qëndrimi zyrtar se: “Besojmë se wrestling është tejet i rëndësishëm për të bërë të mundur që njerëzit ta kalojnë këtë periudhë të vështirë.
Ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, me vetëm pak persona të pranishëm në arenë, duke bërë të mundur që mbrojtja e shëndetit të jetë parësore. Wrestling ndihmon familjet të qëndrojnë së bashku, duke dhënë shpresë drejt rikthimit në normalitet”.
Sipas televizionit “Spectrum News 13” në Majemi, organizata e lobimit “America First Action PAC”, e cila njihet si mbështetëse e presidentit Donald Trump ka dhuruar 18.5 milionë dollarë për shtetin e Floridas, vetëm katër ditë përpara vendimit të autoriteteve që i hapën dritën jeshile sportit të wrestling.
Organizata drejtohet nga Linda McMahon, bashkëshortja e bosit të WWE, Vince McMahon. Wrestling cilësohet si një prej sporteve që gjenerojnë më tepër të ardhura në Amerikë, ashtu si futbolli amerikan, bejzbolli, hokeji apo basketbolli.