Zbardhet dëshmia e Ilir Selmanit, i cili u arrestua një ditë më parë në zonën e Xhamllikut, në Tiranë, pasi dyshohet si autori i ekzekutimit mafioz të ish-efektivit Santiago Malko.
Selmani ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, teksa ka thënë para policëve se nuk e njihte fare Santiago Malkon, por e kishte parë vetëm në televizor.
Mes të tjerash, ai ka treguar edhe pse dilte i armatosur në rrugë, duke thënë se i rrezikohej jeta nga kundërshtarët e tij dhe të Leonard Dukës, me të cilin, ka thënë se ka një lidhje miqësore shumë vjeçare.
“Me Leonard Duken kam lidhje miqesie shume vjecare. Nuk e kam takuar prej shume muajsh dhe nuk kam informacion per vrasjen e Santiago Malkos. Nuk e njoh fare, e kam pare vetem ne televizor qe flitej per te. Prej muajsh kam qendruar i fshehur dhe rralle kur dilja levizja i armatosur, sepse me rrezikohet jeta nga kundershtaret e mi dhe te Leonardit. Me kane thene se Ervis Martini do te me heqe qafe”, mësohet të ketë thënë Selmani para policëve.
Arrestimi i Selmanit u bë pasditen e djeshme nga Komisariati nr. 2, i cili ka pasur informacion se ai fshihej në një apartament në zonën e Xhamllikut. Zona është mbajtur në vëzhgim nga agjentë të policisë dhe për lokalizimin e Selmanit kanë ndihmuar lëvizjet e bashkëshortes së tij, e cila shkonte e takonte.