Shtetet europiane/ Hapat e para të daljes nga karantina

0

Ndërkohë që në vende si Mbretëria e Bashkuar vazhdojnë të zbatohen masat e rrepta të izolimit, në vende të tjera të Europës ka nisur pak nga pak lehtësimi i kufizimeve dhe duket se nuk është e largët dita kur njerëzit do t’i kthehen normalitetit.

Vendet më të prekura në Europë, si Spanja, Franca dhe Italia, po pësojnë rënie përsa i përket numrit të të prekurve dhe atyre që ndërrojnë jetë. Duke nisur nga dita e sotme (e hënë, 20 prill) Gjermania do të lejojë rihapjen e dyqaneve të vogla. “Situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme,” tha ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn. Në Gjermani, njerëzit janë lejuar edhe të protestojnë, sigurisht duke respektuar distancën.

Franca ka në plan të rihapë shkollat më 11 maj. “Situata gradualisht po përmirësohet, me ngadaltë, por e sigurt,” tha kryeministri i Francës të dielën.

Në Spanjë, fëmijët do të jenë në gjendje të dalin për ajër të pastër nga data 27 prill. Ata qëndrojnë të mbyllur që prej 14 marsit.

Autoritetet norvegjeze kanë bërë të ditur se “virusi është në kontroll”. Ata u shprehën se çerdhet do të hapen të hënën, ndërsa nga 27 prilli do të nisë rihapja e pjesshme e shkollave të mesme dhe universiteteve.

Javën e kaluar, fëmijët danezë u rikthyen në shkollë. Danimarka ishte një nga shtetet e para europiane që mbylli kufijtë, dyqanet, shkollat dhe restorantet dhe që ndaloi grumbullimet masive dhe gjithashtu ishte një nga shtetet e para që iu rikthye gradualisht normalitetit. Rregullat e vendosura nga qeveria daneze udhëzojnë ndarjen e studentëve në grupe më të vogla dhe larjen e duarve çdo dy orë. Sipërfaqet si lavamanët, tualetet, bravat e dyerve duhen dizinfektuar dy herë në ditë. Gjithashtu, shkollat po bëjnë çmos që studentët të kalojnë sa më shumë kohë jashtë.

Masat lehtësuese kanë filluar edhe në Republikën Çeke dhe Austri. Në Austri, është parashikuar që muzetë të hapen nga mesi i muajit maj.

Ndërkohë që masat lehtësuese po ndihen edhe në vendin tonë. Një javë më parë, u ndryshua fasha e orarit të lëvizjes, duke nisur nga ora 05:00-17:30. Gjatë fundjavës, u lejuan pensionistët që të shëtisnin pak (të shtunën), ndërsa të dielen nënat me fëmijë nën 10 vjeç. Po kështu ka nisur procesi i riatdhesimit të shqiptarëve të mbetur jashtë vendit. Shtojmë gjithashtu se një listë e gjatë biznesesh u lejuan që të rifillonin aktivitetin nga dita e sotme, ndërkohë që të tjera aktivitete do të rihapen më 27 prill.

Artikulli i mëparshëmKosovë: 37 raste të reja me koronavirus – shkon në 598 numri i përgjithshëm
Artikulli i radhësNew York/ Guvernatori: “Ne do ta mundim bishën, por….”