Komisioni Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara për Azinë Perëndimore (ESCWA) paralajmëroi të enjten se vendet arabe mund të jenë më të goditura nga pandemia globale.
“Rajoni arab do të jetë epiqendra e efekteve shkatërruese të pandemisë,” tha në një deklaratë.
Ndërsa theksoi se investimet e huaja direkte në botën arabe mund të ulen me 45 përqind, ESCWA argumenton se mund të jetë ndërprerja më e madhe e investimeve ndonjëherë.
Ai gjithashtu shprehet se pasojat e sëmundjes Covid-19 në kontekstin e një rënie në investimet e huaja mund të jenë shumë herë më të mëdha sesa efektet e krizave që përfshinë botën arabe në vitin 2011, në fillimin e kryengritjeve të quajtura bashkërisht si “Pranvera Arabe”.
Një nga pasojat e pandemisë është çmimi rekord i ulët i naftës në treg, i cili mund t’i kushtojë vendeve arabe një deficit buxheti prej 20 miliardë dollarë.
Sekretarja Ekzekutive e ESCWA-s, Rola Dashti u bëri thirrje qeverive arabe që të mbështesin në kohë zinxhirët ekonomik dhe tregtarë dhe të ruajnë aktivitetin ekonomik për të parandaluar largimin masiv të punëtorëve nga kjo pjesë e botës.
Ajo përmendi një seri masash që mund të ndihmojnë qeveritë arabe të zvogëlojnë krizën ekonomike, përfshirë lehtësimin e taksave, stimujt për punëdhënësit dhe një moratorium të përkohshëm për shlyerjen e kredisë për personat juridikë dhe fizikë.
“Humbjet në tregtinë në botën arabe, sipas parashikimit më optimist, mund të jenë 88 miliardë dollarë,” tha Dashti.