Të vdekurit nga koronavirusi në nivel global mund të jenë 60% më shumë se ata që numërohen zyrtarisht. E mbështet këtë ide një analizë e “Financial Times” e bërë në 14 vende të goditur nga pandemia. E përditshmja britanike shkruan se mund të jenë 122 mijë viktima më shumë në krahasim me 77 mijë që kanë deklaruar vendet e marra në analizë.
Ekspertët kanë arritur në këtë përfundim pasi analizuan të dhënat e vdekjeve në periudhën nga marsi në prill të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të 5 viteve të shkuara. Dhe nëse kjo e dhënë do të jetë e vërtetë numri i vdekjeve në botë i bie që të jetë 318 000 persona dhe jo 200 mijë që janë zyrtarisht.
Në të gjithë vendet e analizuara, duke përjashtuar Danimarkën, numri i vdekjeve nga marsi në prill 2020 e ka tejkaluar mesataren historike: në Itali me 90%, në Belgjikë me 60%, në Spanjë me 51%, në Vendet e Ulëta me 42% dhe në Francë me 34%.
Sa i takon Italisë, Financial Times llogarit se në Lombardi, epiqendra e pandemisë, janë 155% vdekje më shumë në krahasim me mesataren e 5 viteve të fundit dhe në provincën e Bergamos kjo shkon në 464% më shumë duke ia kaluar edhe New York (+200%) dhe Madridit (+161%).