KOFSHA PULE ME PORTOKALL

0
  • Racione: 4 persona
  • Kohë: 45 min + koha e marinimit
  • Vështirësi: e thjeshtë

Kofshat e pulës me portokall janë një pjatë e dytë tepër e thjeshtë për tu pregatitur, por me një shije mjaft të veçantë. Kjo recetë gatuhet me pak përbërës, ku kryesori është portokalli: lëngu dhe shija e tij e bëjnë mishin e pulës të shijshëm dhe shumë të butë.
Mund ta shoqëroni me një sallatë të thjeshtë, me oriz basmati, kus kus apo patate furre.

Përbërësit

  • 6 kofsha pule mesatare ose 8 të vogla (rreth 800gr)
  • 2 portokaj bio të mëdhenj e me lëng
  • 2 degë trumëz të freskët
  • 1 gotë verë e bardhë
  • 1 lugë e vogël spec djegës pluhur
  • 1 lugë e vogël xhinxhër pluhur
  • vaj ulliri
  • kripë
  • piper të zi
  • miell

Lajmë shumë mirë 2 portokaj nën ujë të ftohtë të rrjedhshëm. Në këtë recetë do të përdorim edhe lëkurën e portokallit, prandaj është tepër e rëndësishme që të jenë biologjik dhe të patrajtuar me kimikate. Shtrydhim lëngun e 1 portokalli e gjysmë, grijmë lëkurën e 1 portokalli, ndërsa gjysmën tjetër e presim në feta.

Bashkojmë lëngun e portokallit me verën e bardhë, shtojmë lëkurën e portokallit, specin djegës pluhur, xhinxhërin pluhur, trumëzën e freskët, kripë dhe piper. Në këtë përzierje marinojmë kofshat e pulës për 2-3 orë, akoma më mirë gjithë natën.

I nxjerrim kofshat e pulës nga marinatura (të cilën e ruajmë për më vonë), i thajmë mirë me letër kuzhine, i lyejmë me pak miell dhe i kavërdisim nga të gjitha anët në një tigan me pak vaj ulliri derisa të marrin ngjyrë të artë. Kini parasysh të përdorni një tigan të cilin mund ta transferoni menjëherë në furrë. Në rast të kundërt e transferojmë të gjithë masën në një tavë dhe vazhdojmë me gatimin.

I hedhim sipër kofshave të pulës marinaturën e kulluar, disa feta portokalli dhe e pjekim në 200 gradë celcius për 40 minuta./unegatuaj.com

Artikulli i mëparshëmA po ndjek Suedia rrugën e Natyrës?
Artikulli i radhësKultivim masiv i boronicave – Fermerët shqiptarë fitime të mëdha në tregjet e huaja