Me një urdhër surprizë që duket se nuk është bazuar në asnjë vendim të ligjshëm, kryeministri Edi Rama shembi natën e kaluar ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar në atë që disa kritikë e quajtën instalim diktature në Shqipëri.
Policia shqiptare rrethoi zonën e Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës ndërsa fadromat shembën ndërtesat historike rreth orës 4 të mëngjesit të 17 Majit 2020, duke shënuar në këtë mënyrë fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë.
Kryeministri Edi Rama mori vetë përgjegjësinë për shembjen duke deklaruar në orët e para të mëngjesit se shembja po bëhet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri ndërsa shau mbrojtësit e trashëgimisë kulturore si njerëz që nuk e duan zhvillimin. Por shembja e kryer në mes të natës është bërë dukshëm pa një vendim të ligjshëm dhe të vlefshëm, duke ngritur pikëpyetje nëse Shqipëria vijon të jetë një vend i sundimin e ligjit.
Këshilli Bashkiak i Tiranës raportohet se mori një vendim për shembje të Enjten e kaluar, por vendimet e këshilleve bashkiake hyjnë në fuqi dhjetë ditë pas publikimit dhe jo menjëherë.
Në orët e para të mëngjesit të së Dielës, ndërsa rruspat e kryeministrit rrafshonin objektin historik, një numër qytetarësh shtynë forcat e shumta policore duke sfiduar rrezikun e koronavirusit.
Regjisori Edmond Budina, një nga mbrojtësit e Teatrit, deklaroi se shembja e ndërtesës shënon edhe ditën e vendosjes së një diktature në Shqipëri.