Vëzhguesi i ONM, opinion paralel lidhur me vendimin për shkarkimin nga KPK të gjyqtarit Andi Civici

0

Nga Aleksandra Bogdani

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Andi Civici u shkarkua në unanimitet pasi nuk dokumentoi ligjshmërinë e huave dhe një transaksion prone me familjarët, ndërsa arsyetimi i trupës së KPK-së për njërën nga huatë u kritikua nga vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs.

Më 4 mars 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra për gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Andi Civici–i cili iu nënshtrua procesit të vetingut vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Civici nuk arriti të justifikojë pasurinë e tij të patundshme, të ngritur kryesisht përmes huave dhe transaksioneve financiare me familjarët.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Andi Civici u fokusua te ligjshmëria e të ardhurave të huadhënësve –përfshi edhe vjehrrin e tij ish-avokat, i cili financoi me hua fillimisht blerjen e një apartamenti në Vlorë dhe më pas blerjen e një apartamenti në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë.

Hetimi administrativ për Civicin u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen. Ndonëse vendimi i shkarkimit ishte unanim, vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs ndau qëndrim të ndryshëm me trupën mbi kufirin se deri ku mund të shtrihet hetimi i pasurisë për personat e lidhur me subjektet e rivlerësimit.

Andi Civici e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2003 si gjyqtar në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, Civici është emëruar gjyqtar i Apelit të Vlorës, funksion të cilin e ka mbajtur deri në vitin 2016, kur u transferua në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Transferimi i Civicit në Apelin e Tiranës u krye në kohën që bashkëshortja e tij, Eneida Civici ishte anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke ngritur asokohe pikëpyetje për konflikt interesi. Eneida Civici dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor në tetor 2019, duke ndërprerë edhe procesin e vetingut.

Në seancën dëgjimore, gjyqtari Andi Civici kundërshtoi gjetjet e Komisionit dhe u ankua për trajtim të ndryshëm nga subjektet e tjera. Por Komisioni rrëzoi një kërkesë të tij për shtrirjen e hetimit edhe në dy kriteret e tjera si dhe një kërkesë për dorëheqje të anëtares Xhensila Pine, e cila kishte qenë shoqe klase me Civicin.

Apartamenti i blerë me hua

Gjyqtari Andi Civici iu nënshtrua hetimit pasuror për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 147.80 m2 në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë me vlerë 155 mijë euro; çka edhe solli penalizimin e tij me shkarkim nga detyra.

Sipas deklaratës “veting”, apartamenti është financuar në vitin 2011 me paratë e përfituara nga shitja e një apartamenti të mëparshëm në qytetin e Vlorës si dhe një hua prej 42 mijë eurosh nga vjehrri i gjyqtarit Civici –e cila është falur në vitin 2014.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i shtriu fillimisht hetimet në apartamentin e Vlorës, i cili rezulton të jetë prenotuar në vitin 2003, ndërsa akti i shitjes është finalizuar në vitin 2008. Blerja e apartamentit në vlerën e 6 milionë lekëve është financuar e gjitha me hua; ku 3 milionë lekë deklarohen se janë marrë nga vjehrri, 3 milionë të tjera nga daja i bashkëshortes dhe 1 milion lekë nga babai i subjektit të rivlerësimit.

Prona deklarohet të jetë rivlerësuar dhe më pas shitur në vitin 2011 në vlerën e 16.8 milionë lekëve; para të cilat financuan më pas blerjen e apartamentit në Tiranë. Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme si në financimin e saj me hua, ashtu edhe në shitje.

Komisioni hetoi burimin e të ardhurave të vjehrrit të gjyqtarit Civici, shtetasit D.H, i cili ka punuar si avokat në Vlorë në periudhën 1998-20015, por nuk u dokumentua regjistrimi i tij në organet tatimore për periudhën 1998-2003; kohë kur është dhënë edhe huaja.

Në një përgjigje për Komisionin, Bashkia e Vlorës deklaroi se nuk kishte regjistra të asnjë tatimpaguesi për këtë periudhë dhe për rrjedhojë nuk mund të vinte në dispozicion dokumentacion mbi detyrimet tatimore të paguara nga D.H.

Gjyqtari Civici tha para KPK-së se vjehrri i tij kishte ndërruar jetë në vitin 2017, por dorëzoi dokumente që tregonin se “ka pasur të ardhura të konsiderueshme të cilat i mundësonin dhënien e huasë”. Ai kërkoi gjithashtu që të llogaritej fasha minimale e të ardhurave nga biznesi, duke qenë në kushtet e pamundësisë për të provuar të ardhurat e fituara nga vjehrri.

Trupi gjykues argumentoi se subjekti mund të jetë në kushtet e pamundësisë për të provuar pagimin e tatimit nga aktiviteti i vjehrrit në këtë kohë, pasi sistemi nuk i ka ruajtur ato dhe D.H ka ndërruar jetë.

“Por Komisioni vlerëson se nuk u paraqit asnjë provë nga e cila të krijohej bindja se D.H të jetë regjistruar në organet tatimore përkatëse deri në vitin 2003, sipas legjislacionit në fuqi, dhe të ketë vetëdeklaruar qarkullimin apo të ardhurat e realizuara,” shtoi Komisioni, duke sqaruar se likuiditetet në bankë nuk provojnë pagesën e tatimeve përkatëse apo faktin se i janë dhënë subjektit të rivlerësimit apo bashkëshortes së tij për blerjen e apartamentit.

Edhe huaja e dytë prej 3 milionë lekësh, e dhënë nga daja i bashkëshortes së Civicit u konsiderua e paprovuar nga trupa gjykuese. Shtetasi Th.M ka kryer profesionin e kambistit, por Komisioni argumentoi se gjatë hetimit nuk rezultoi asnjë dokument lidhur me marrjen e kësaj huaje apo shlyerjen e saj.

“Në vlerësimin e trupit gjykues, subjekti nuk arriti të provojë mundësitë financiare të shtetasit Th.M për dhënien e kësaj huaje dhe as burimin e ligjshëm të shumës së dhënë hua,” shtoi Komisioni.

Trupa gjykuese e konsideroi të provuar huanë prej 1 milion lekësh të dhënë nga babai i subjektit. Por të ardhurat e siguruara nga shitja e apartamentit në Vlorë rezultuan me probleme për gjyqtarin Civici.

Sipas hetimit administrativ, apartamenti i blerë për 6 milionë lekë është rivlerësuar më 1 dhjetor 2011 në vlerën e 16 800 000 lekëve dhe iu shit në të njëjtën vlerë djalit të hallës së subjektit më 18 dhjetor 2011. Vetëm dy muaj më pas, kushëriri me inicialet E.K e shiti pronën me një çmim më të ulët prej 12 milionë lekësh.

Civici tha përpara KPK-së se djali i hallës së tij u detyrua ta shiste apartamentin me çmim më të ulët për shkak të problemeve shëndetësore “të vlerësuara në atë kohë të rënda”. Por Komisioni argumentoi se nuk provohet kalimi i shumës prej 16.8 milionë lekësh nga E.K te Civici dhe nuk provohet gjithashtu mënyra sesi E.K i transferoi paratë nga Italia ku jetonte në Shqipëri.

“Mbështetur në rezultatet e hetimit, krijohen dyshime se çmimi i shitjes i deklaruar nga subjekti në vlerën e 16 800 000 lekë nuk është çmimi real…,” argumenton Komisioni, duke shtuar se subjekti nuk mundi të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit.

Opinioni paralel i Jacobs

Në kuadër të rivlerësimit të apartamentit të blerë në vitin 2011 në Tiranë, Komisioni hetoi edhe mundësitë financiare të vjehrrit të Civicit për të dhënë huanë prej 42 mijë eurosh –shumë e cila u fal në vitin 2014. Subjekti ka deklaruar se kjo hua buronte nga një llogari bankare prej 55 mijë eurosh, e tërhequr nga vjehrri i tij në nëntor 2011.

Hetimi u përqendrua tek aftësia e kursimit të huadhënësit dhe bashkëshortes së tij, që për periudhën 2004-2010 rezultoi në vlerën e 12 milionë lekëve. Por huaja nuk ishte shpenzimi i vetëm i shtetasit D.H dhe bashkëshortes së tij. Nga hetimi rezultoi se deri në momentin e dhënies së huasë, bashkëshortët H. kanë blerë prona të patundshme në vlerën e 29 milionë lekëve si dhe kanë pasur likuiditete në bankë prej 27.1 milionë lekësh.

Trupa gjykuese e konsideroi të ligjshëm burimin e huasë prej 42 mijë eurosh, ndërsa argumentoi se vlerësimi tërësor i pasurisë së shtetasit D.H nuk mund të bëhej në kuadër të rivlerësimit të gjyqtarit Andi Civici. Megjithatë, trupa bëri një arsyetim abstrakt mbi burimin e mundshëm të pasurisë së vjehrrit të gjyqtarit.

“Duke vlerësuar aktivitetin privat të huadhënësit të rezultuar edhe gjatë hetimit, situatën financiare të tij të rezultuar nga gjendja e likujditeteve dhe kursimeve në bankë, duke njohur realitetin shqiptar të atyre viteve ku informaliteti ka qenë i dukshëm dhe real për këdo, lidhur me pasuritë e tjera të D.H dhe bashkëshortes së tij blerë me të ardhura që disponoheshin në sistemin bankar, trupi gjykues vlerëson se ato mund të jenë nga aktiviteti i avokatisë së të ndjerit D.H dhe veprimtaria tregtare  dhe ato nuk mund të vlerësohen në kuadër të procesit të rivlerësimit të z. Andi Civici,” argumenton trupa duke iu referuar praktikës së vendosur nga Kolegji i Apelimit.

Por vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs e konsideron këtë qëndrim të gabuar në një mendim paralel të publikuar bashkë me vendimin në faqen e KPK-së.

Trupa gjykuese mbajti qëndrimin se përfshirja e shpenzimeve në analizën financiare të D.H dilte jashtë qëllimit të ligjit, ndaj edhe arriti në përfundimin se të ardhurat e tij duke i zbritur kostot e jetesës ishin të mjaftueshme për të justifikuar huanë prej 42 mijë eurosh.

Jacobs nuk bie dakord me këtë qëndrim, pasi sipas tij është e kundërta e detyrave të institucioneve të rivlerësimit dhe e drejton çështjen në një “rezultat alogjik”.

“Në çështjen specifike, huaja është një ndër ndër burimet e subjektit dhe si e tillë, hetimi për kapacitetin financiar të huadhënësit është i përshtatshëm dhe i domosdoshëm për vlerësimin financiar të subjektit të rivlerësimit,” thotë Jacobs.

Vëzhguesi ndërkombëtar argumenton më tej se trupa gjykuese krijoi një dallim artificial në financat e D.H, duke i konsideruar të gjitha të ardhurat e ligjshme si burim për huanë dhe duke iu shmangur vlerësimit të shpenzimeve, edhe në momentin kur vetë paneli pranoi se ato i tejkalonin të ardhurat e ligjshme të shtetasit D.H.

“Ata dështuan të përcaktonin pasojat e duhura në drejtim të ligjshmërisë së aseteve dhe kjo nuk është në përputhje me standardet e përcaktuara nga ligji i vetingut; dhe është faktikisht e pasaktë përsa kohë që nga analiza financiare e KPK-së rezultoi se D.H nuk i përdori kursimet e tij bankare për shpenzime para vitit 2011…,” shton Jacobs.

Vëzhguesi ndërkombëtar analizon legjislacionin si dhe praktikën e vendosur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për hetimin pasuror të personave të lidhur si dhe detyrimin e subjektit për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të dhuratës/ huasë; por jo për asetet e tjera të personit të lidhur.

Për rastin në fjalë, Jacobs thotë se Kolegji i Apelimit pranon mundësinë e hetimit kur faktet dhe rrethanat tregojnë “një situatë dyshuese ku personi tjetër i lidhur me subjektin mban asete të fshehura të tij…”.

“…Në momentin që paneli konstatoi se D.H kishte in abstracto burime të mjaftueshme për të mbuluar shumën e dhënë hua, duhej megjithatë të kishte verifikuar nëse burimet e ligjshme ishin objekt i huadhënies. Ndërsa dështoi ta bënte këtë, paneli nuk ishte në pozitën që të konfirmonte legjitimitetin e huasë dhe të burimit të saj,” përfundon Jacobs.

Artikulli i mëparshëmCOVID-19/ Trump është i vendosur: Me apo pa vaksinë, SHBA do të rihapet
Artikulli i radhësZbulimi i ri: Larja e mirë e gojës, ju mbron nga Covid-19