Policia njoftoi pak më parë se ka arrestuar 22 persona, ndërsa janë shoqëruar mjaft të tjerë në kuadër të një operacioni të madh kundër kultivimit të drogës në vend.
Mes të arrestuarve janë punonjës policie, njëri në Tiranë dhe tjetri në Kukës. Sipas prokurorisë, Arben Kalaja në Tiranë dhe Ramiz Cena në Kukës ndihmonin grupet kriminale në mbjelljen e kanabisit duke shpërdoruar detyrën e tyre.
Mes të arrestuarve është edhe Arben Tuci, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci.
Arben Tuci ka rënë i dënuar dy herë për tafik droge. Në vitin 2012 është dënuar me 7 vjet heqje lirie, ndërsa në vitin 2016 është dënuar sërish.
Gjatë këtij operacioni është pezulluar nga detyra edhe Naim Kadiu, oficer i policisë gjyqësore në komisariatin e Kukësit.
Siç mëson abcnews.al, prokuroria dyshon se ishte Kreshnik Murataj nga Kukësi ai që organizonte grupin pasi gjatë përgjimeve është konstatuar se personat e tjerë konsultoheshin me të për veprimet mbi mbjelljen, rritjen e bimëve të kanabisit si edhe transportin e lëndës narkotike pas tharjes.
Prokuroria ka interceptuar telefonata mes Kreshnik Muratajt dhe të tjerëve për gjetjen e një “miku” për prokuroren F.V në Kukës pas disa operacioneve kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Në një moment ata lidhen me djalin e prokurores, por në dosje nuk specifikohet më tej se çfarë ka ndodhur më pas.