Hidhu Erion… Dhe Erioni hidhet!

0

Nga Dritan Shano

Që prej datës 17 maj 2020, të gjithë njerëzit, duan apo nuk duan, u pëlqen apo jo, kanë parë sesi Demokracia Shqiptare ka ngelur në mes të rrugës, e bërë qull, pasi mbi kokën dhe trupin e saj ka kohë që bie rrebesh spira e oligarkëve. Kjo spirë që i bie asaj mbi kokë me arrogancë me dhunë, hapur, pa teklif me gjasë do vazhdojë.

Dhuna e disa oligarkëve që duan të ndërtojnë kulla në çdo centimetër katror të qendrës së Tiranës vetëm mund të përshkallëzohet në muajt që vijnë, pasi ata e kanë humbur durimin e kaparëve që kanë dhënë, dhe nuk kanë më nerva të durojnë paqartësitë që përmban periudha parazgjedhore.

Rama, i cili u është spërdredhur sa ka mundur “detyrimeve” dhe “kamatave” të akumuluara prej kohësh që kur ai vetë ishte Kryetar Bashkie, ka gjetur tek Veliaj në këto momente ekzekutorin perfekt. Më kujton atë që Jaroslav Hashek, në romanin e tij “Ushtari i mirë Shvejk”, e ka përshkruar si Pepiku. Pepikut i thoshin: Hidhu! Dhe Pepiku hidhej.

Pepik Veliaj, siç mund ta keni parë, nën “kërcënimin” se mund t’i ndërpritet çdo karrierë, pra që Rama mund të mos ta ri-kandidojë më as si Kryetar bashkie në rast se bëhen zgjedhjet lokale për të korrigjuar votimet moniste, apo të mos i lerë trashëgim partinë, nuk ndalet para asgjëje.

Shembja e Teatrit Kombëtar prej tij, nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit, është një veprim që ka shkelur çdo ligj, procedure, afat kohor, kompetencë etj, etj. Diskutimi për shembjen e Teatrit Kombëtar nuk është as estetik, as referendar, as elektoral, as imagjinar, është thjesht faktik, ligjor.

Juristë të ndryshëm, pa përjashtim e kanë çmontuar këtë veprim, hap pas hapi, ku çdo sekuencë e këtij veprimi është një shkelje ligjore, për të cilën duhet të mbajnë përgjegjësi personale secili nga personat e implikuar në përputhje me rolin që kanë luajtur dhe veprimin që kanë kryer.

Pepiku dhe pepikët e tjerë që kanë hedhur firma, të trimëruar nga ndjenja e forcës së cubit dhe garancive për pandëshkueshmëri që kanë marrë, por aspak nga ndonjë mbështetje në ligjet ekzistuese të Republikës së Shqipërisë do duhet të dalin para gjyqit dhe të përgjigjen. Le të fillojë punën me ta drejtësia e re.

Por deri kur kjo të ndodhë, banda që ka marrë peng Tiranën, Shqipërinë do vazhdojë të rrëmbejë ç’të mundë. Mediet e kësaj bande do bëjnë ç’është e mundur për të squllur rezistencën e njerëzve. Njerëzit do vazhdojnë të veprojnë jo në përputhje me atë që duan dhe e quajnë të drejtë, por për inat të ndokujt tjetër.

Sot në Shqipëri ka shumë njerëz që rrinë në shtëpi e vështrojnë, dhe nuk dalin në rrugë për të kundërshtuar padrejtësitë, pasi nuk duan që përmes këtij veprimi që mund të rrëzojë qeverinë, të vijë në pushtet Luli. Më shumë se të pengojnë ardhjen në pushtet të Lulit, të gjithë këta njerëz janë kthyer “pa kuptuar” në rojtarët më besnikë të bandës në pushtet, edhe pse mund të mos ta kenë votuar ndonjëherë atë. Njësoj si ata që shohin nga mbrapa perdes apo që ruajnë tek cepi i rrugicës kur banda është duke vjedhur shtëpinë e ndonjërit.

Ndërsa Shqipëria po bëhet gropë – gropë ligjore, ekonomike, sociale, shumë prej nesh rrinë në shtëpi që të ruajmë me vendosmëri se mos vjen Luli në pushtet. Për fat të keq, në Shqipëri, kauza e inatit ka ende më shumë mbështetës se kauza e së drejtës. Kauza e të drejtës do bythë, dhe prandaj shumëkush gjen justifikimin, rehatinë e rojës që nuk lëviz nga shtëpia nga frika se mos vjen x apo y në pushtet. Asnjeri prej nesh që bën këtë nuk është i ndryshëm nga Pepiku.

Mos rri n’shpi!

Syri.net

Artikulli i mëparshëmLiderët autoritarë të botës janë pa ide
Artikulli i radhësCila është risia më e fundit e testeve antitrup ndaj koronavirusit