Njolloset sërish vetingu/ Rasti i tretë pritet të hetohet nga SPAK

0

Ambasadorja e SHBA në Tiranë për herë të parë ka pranuar sot se procesi i vetingut nuk gëzon mbështetjen e duhur në opinionin shqiptar. Kjo deklaratë vjen pas sondazheve serioze që e kanë ulur besueshmërinë te Reforma në Drejtësi nga 90% që ishte kur nisi, në 30% tani. Gjithashtu ditë pas dite po zbulohet se individë me probleme në të shkuarën apo me lidhje direkte me eksponentë të mazhorancës janë katapultuar në institucionet kryesore të drejtësisë së re dhe veçanërisht tea to që procedojnë me vetingun.

Ambasadorja Yuri Kim shkroi sot në Twitter se pavarësisht se, “Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka punë të vështirë, vettingu duhet të vazhdojë të tregojë përgjegjshmëri dhe të fitojë besimin e shqiptarëve”.

Ndërkohë mësohet se një tjetër anëtar i komisioneve të vetingut pritet të kallëzohet në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Sipas një dokumenti të publikuar nga A2CNN, rezulton se Alma Faskaj, komisionere pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) është shkarkuar si gjyqtare në vitin 1996 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Gjyqtarja Hajrie Muçmataj, e shkarkuar nga KPK, konfirmoi për këtë televizion se në ditët në vijim do t’i drejtohet SPAK, për të bërë kallëzim ndaj komisioneres Faskaj.

Në fillim të muajit janar në emisionin investigativ “STOP” u publikua një video e pedagogut të urgjencës mjekësore, Besnik Faskaj, i cili i mori 150 euro nga një studente për t’i bërë notën e provimit nga 4 në 8. Ndërkohë që ai u pezullua dhe SPAK ka marrë pamjet filmike për të nisur hetimet, në media më pas doli se profesori Faskaj është kunati i Alma Faskaj, anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që heton prokurorët dhe gjyqtarët, raporton A2.

Ndërkohë bashkëshorti i Almës, Idajet Faskaj, mban një detyrë të lartë në Ministrinë e Brendshme, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.

Ky është rasti i tretë, që komisionerët e vetingut kallëzohen në SPAK për fshehje të së shkuarës së tyre. Dy ditë më parë, SPAK pezulloi nga detyra anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci pasi ai kishte fshehur shkarkimin e tij në vitin 1997.

Ndërkohë nën hetim ndodhet dhe anëtari tjetër i KPA-së, Ardian Hajdari. Ai është i akuzuar nga Shërbimi Informativ në vitin 2006, kur punonte si avokat, si i përfshirë në një skemë korruptive.

Artikulli i mëparshëmSHBA, një studim i detajuar konfirmon efikasitetin e një antivirali kundër COVID-19
Artikulli i radhësNdërtoi pa leje, gjobitet me 2.5 mln lekë resorti në Himarë