A do të pushohemi nga puna nëpërmjet Zoom?

0
Pushim nga puna me zoom

Që prej vitit 2016, është e mundur të pushoheni nga puna me një sms apo me një njoftim në Whatsapp. Sot, zhvillimi i teknologjive të reja çon në skenarë të rinj. Në një të ardhme, a mund të pushohemi nga puna edhe gjatë një videothirrje në Zoom. Google Hangouts, Skype, Facetime?

“Më hoqën nga puna, gjatë një video në Zoom. U lidha në kohën e caktuar dhe në ekranin tim u shfaq CEO dhe një përfaqësues i Burimeve Njerëzore. Aty, në mes të të dyve, isha unë. Në këtë mënyrë më njoftuan lajmin”. Kjo është përvoja surreale e Deborah Copaken, e rrëfyer në një artikull të publikuar në revistën amerikane The Atlantic.

“Më vjen shumë keq” – i tha me sytë e përlotur shefi i saj, i cili kishte bërë të njëjtin njoftim, disa herë, një ditë më parë. “Nuk është çështje personale, por biznes”. Metoda quhet «LIFO-Last In, First Out», që do të thotë se “I fundit që hyn del i pari”.

Nga ky njoftim, çdo gjë iu shkërmoq para syve Deborah Copen, e cila deri në ato momente, nuk ishte shqetësuar se si COVID-19 mund të ndikonte në pagesën e qirasë apo për të blerë ushqime. “Nuk punoj në sektorin e restoranteve, nuk jam një parukiere, as estetiste, nuk organizoj koncerte. Punoj në fushën e teknologjive shëndetësore. Për këtë, mendoja që vetëm këto dy fjalë, shëndetësi dhe teknologji, do të ishin në gjendje të më mbronin. Apo jo?”. Por, jo. Sapo u lidh në Zoom, asaj iu bë një surprizë e keqe.

Disa javë më parë, startup kaliforniane Bird, që ofron një shërbim për monopatinët elektrikë, pushoi nga puna nëpërmjet një komunikimi në Zoom, 400 persona, ose rreth 30% të personelit. Edhe Uber pushoi nga puna 3000 punonjës, të cilët u shtohen 3700 të tjerëve në fillim të majit nëpërmjet videokonferencës.

Si të reagoni kur ju pushojnë nga puna?

Ka nga ata të cilët nuk dalin më nga shtëpia; të cilët fillojnë të ndihen të pasigurt dhe të papërshtatshëm; të tjerë të cilët e përjetojnë si një traumë. Mënyrat e reagimit ndaj pushimit nga puna, veçanërisht, kur nuk e prisni, janë të ndryshme.

Sipas kërkimeve të fundit, 57% e punonjësve të moshës 25 – 54 vjeç, të cilët kanë humbur punën, pranuan se kanë përjetuar ankth dhe depresion.

Çfarë të bëni për të mos u mërzitur? Së pari, ekspertët këshillojnë që ju të pranoni realitetin e faktorëve, duke përjashtuar emocionet tuaja.

Kini parasysh që njeriu është miku më i mirë i vetes. Flisni me miqtë që t’ju ndihmojnë, për të mos hyrë në një spirale depresioni.

Rendisni në një letër të gjithë aftësitë dhe kompetencat. Të gjitha aftësitë e fituara gjatë rrugëtimit profesional janë një mënyrë shtesë për t’ju motivuar.

Mësoni që të jeni elastik – duke reaguar me pozitivizëm ndaj të papriturave në jetë dhe me vendosmëri ju do të ngriheni dhe do ta kapërceni më shpejt këtë situatë.

Burimi: Vanity Fair

Artikulli i mëparshëmEkonomia nën pushtetin e COVID-19 dhe prioritetet qeverisëse… që po çojnë ujë në lavatriçen e pastrimit të parave!
Artikulli i radhësNjë hendek i rrezikshëm