Një shoqatë italiane e dasmave ka organizuar një manifestim të pazakontë të martën, me 15 vajza të veshura me fustane nusërie, të cilat kanë parakaluar rrugëve në shenjë proteste ndaj masave kufizuese për shkak të koronavirusit.
Një protestë e tillë është mbajtur pasi shoqata e dasmave – AIRB – ka bërë të ditur për humbjet në sektorin e organizimit të dasmave te cilat kanë arritur në 80 për qind, si rrjedhojë e kufizimeve të zbatuara për frenimin e përhapjes së virusit.
“Kemi me miliona punëtorë, kemi më shumë se 30 mijë kompani, kemi edhe sektorin e eksportit që janë ndalur tërësisht”, ka thënë Mario Canditone, sekretar i shoqatës.
Shumica e çifteve në Itali kanë pezulluar dasmat për shkak të rregullave të distancës sociale dhe kufizimeve të tjera që i ndalojnë tubimet dhe ceremonitë martesore.
“Me shumë sakrifica, na është dashur ta anulojmë dasmën që e kishim ëndërruar, dhe kjo për shkak të kësaj situate. Nuk duam që të martohemi pa pjesëmarrjen e njerëzve tanë më të afërt”, ka thënë Dauria Ermanzia, njëra prej nuseve protestuese.