Avokat Spartak Ngjela përmes një postimi në rrjetet sociale ka ngritur pyetjet nëse do të miratohet ligji për vettingun e kandidatëve për deputet në zgjedhjet 2021.
Sipas Ngjelës, edhe nëse politikanët shqiptarë do të përpiqen ta pengojnë, politika amerikane nuk do ta lejojë.
Postimi i plotë:
Të gjithë kandidatët për t’u zgjedhur deputetë, të cilët do të kërkojnë të marrin pjesë në garën zgjedhore të vitit 2021, duhet të vetohen. A do të miratohet ligji për vetingun e kandidatëve për deputetë?
Ja kjo është pyetja kyç.
Dhe pyetja e dytë që vjen menjëherë pas kësaj, është:
A do ta pranojë Rama këtë?
Shenjat janë se nuk po dëshiron ta pranojë; dhe, për këtë, sipas zakonit të tij infantil, do të hidhet degë më degë që ta shtyjë sa më shumë në kohë, deri në prag të zgjedhjeve, sepse ai vetë del i zbuluar dhe nuk e kalon dot vetingun.
Po në rast se e pranon? Atëherë nuk jemi përpara një abuzimi nga ana e tij.
l.
Ja, na duhet ta theksojmë hapur: kjo është periudha konkrete antikorrupsion që Shqipëria e ka domosdoshmëri për të vijuar procedurën drejt Bashkimit Evropian.
Por, e gjithë kjo përpjekje shekullore e shqiptarëve po tentohet të bllokohet nga korrupsioni i lartë shtetëror që, pasi i ka vjedhur shqiptarët, kërkon t’i lëre ata edhe pa atdhe.
Rama nuk do ta pranojë ligjin për vetingun e kandidatëve, por ai ligj tani rrjedh nga Kushtetuta. Kuptohet, nëse Rama nuk e pranon, Saliu dhe Rama do të bashkohen kundër ligjit të këtij vetingu. Po, ku e pyet më politika amerikane Saliun: përse ta dojë!
Ajo ia tha hapur Saliut çfarë kishte për t’ia thënë kur, me dhunë force politike, e zhguli nga çadra dhe e futi në Parlament, pikërisht për të votuar ligjin e parë të vetingut. Dhe pastaj, po politika amerikane, duke iu përgjigjur marrëzisë së tij për dalje nga Parlamenti, e mbylli situatën në dy ditë, dhe i mobilizoi zëvendësuesit që erdhën më pas dhe e plotësuan Parlamentin.
ll.
Po Rama?
Nëse ky do të bëhet pengesë, politika amerikane duhet të veprojë si me Saliun. Duhet t’ia thotë hapur atë që ka në dosje për korrupsionin e tij, ose ato fakte që tregojnë për shitjen e interesit kombëtar prej tij.
Gjykimi real është ky: nëse vendoset vetingu për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021, asnjë nga këta që janë liderë të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, nga forca e ligjit, nuk do lejohet të hyjë në zgjedhje.
Ja, kështu duhet të kompletohet vetë SPAK-u, sepse jo vetëm këta, por askush që e di se ka prona të paligjshme në pronësi të tij apo të të afërmve të tij, nuk do të pranojë të kandidojë.
Dhe Shqipëria shpëton nga një bandë shekullore që po e drejton atë kundër interesit kombëtar, që nga viti 1924.