Drejtori i Policisë së Beratit Neritan Nallbati është infektuar me Covid-19.
Ai ka rezultuar ‘pozitiv’ pas tamponit që ka bërë dy ditë më parë në qytetin e Tiranës, ku edhe banon.
Drejtuesi i lartë i Policisë së Beratit mësohet se është karantinuar në banesën e tij së bashku me bashkëshorten që ka rezultuar edhe ajo ‘pozitive’.
Burime brenda Drejtorisë Vendore të Policisë Berat bëjnë me dije se drejtori Neritan Nallbati është me leje dhe është larguar mbrëmjen e së Mërkurës nga qyteti i Beratit drejt banesës së tij në Tiranë.
Të njëjtat burime konfirmojnë se, ai nuk ka shfaqur asnjë shenjë infektimi deri në momentin e fundit që ka qenë në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Por pavarësisht kësaj, mes efektivëve të policisë Berat është rritur frika e infektimit të mundshëm.
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik në Berat, Nallbati e ka kryer tamponin në qytetin e Tiranës dy ditë më parë dhe mendohet se ai është infektuar nga bashkëshortja e tij.
Gjendja shëndetësore e Nallbatit dhe gruas së tij është e mirë dhe pa komplikacione.