Policia e Shtetit del me njoftim zyrtar për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku ka hedhur dritë mbi detajet dhe autorët e këtij krimi të rëndë.
Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 17.08.2020, ku humbi jetën aksidentalisht nga përdorimi i armës së zjarrit shtetasi Gledis Kraja, 23 vjeç.
Policia deklaron se nga strukturat e DVP Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe arrestimi i autorit, shtetasit Stjuart Smakaj, 23 vjeç, banues në lagjen “Perash”.
Ky shtetas gjatë një konflikti të çastit ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin D. H., ku si pasojë aksidentalisht ka ngelur i plagosur rëndë shtetasi Gledis Kraja, 23 vjeç banues në lagjen “Perash”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit 18 gëzhoja të qitura nga kjo armë zjarrit, automjetet të cilat janë të palëve në konflikt, si dhe vijon puna intensive për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Arma e përdorur sipas policisë ishte e modifikuar. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.