Athina dhe Kajro kanë rënë dakord të zgjerojnë marrëveshjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike (ZEE) në Mesdheun Lindor njoftoi të mërkurën kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Duke folur në një konferencë për media me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi në kryeqytetin Athinë, Mitsotakis tha se të dyja vendet janë të gatshme të “zgjerojnë” marrëveshjen e ZEE-së, e cila, siç tha ai, “jep një shembull për prosperitetin, paqen dhe bashkëpunimin”.
Mitsotakis nënvizoi kohën e vizitës së Sisit, duke thënë se takimi zhvillohet disa ditë pasi SHBA zgjodhi presidentin e saj të ri.
“Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Joe Biden do të ndihmojë në rivendosjen e ekuilibrit dhe sigurisë në rajon”, tha kryeministri grek.
Al-Sisi, nga ana e tij, shtoi se të dyja palët ranë dakord që duhet të ketë një zgjidhje politike në Libi.
“Ne gjithashtu ramë dakord të forcohemi në drejtimin e marrëdhënieve të mbrojtjes”, shtoi ai.
Presidenti egjiptian u takua edhe me homologen e tij greke Katerina Sakellaropoulou gjatë vizitës së tij në Athinë të mërkurën.
Mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor
Më 6 gusht Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme për delimitimin e kufirit detar.
Turqia shpalli marrëveshjen greko-egjiptiane “të pavlefshme” dhe të rifilloi kërkimet e energjisë në Mesdheun Lindor.
Më 10 gusht, Turqia njoftoi se anija e saj “Oruç Reis” do të vazhdonte aktivitetet e saj në një zonë brenda shelfit kontinental të Turqisë.
Dje Turqia lëshoi një teleks lundrimi, ose Navtex, për zonën në Mesdheun Lindor ku do të zhvillojë aktivitete kërkimore sizmike deri më 23 nëntor.
Navtex-i është një sistem i komunikimit detar që u mundëson anijeve të informojnë anijet tjera për praninë e tyre në zonë, si dhe informacione të tjera.
Turqia vazhdimisht ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për deklarimin e saj si zonë ekonomike ekskluzive të bazuar në ishuj të vegjël pranë brigjeve turke.