Duket se pandemia ka ulur vetëm kërkesën dhe ofertën për pasuri të paluajtshme, ndërkohë që nuk ka ushtruar të njëjtin efekt te çmimet, të cilat kanë shënuar rritje të dukshme veçanërisht në kryeqytet.
Sondazhi më i fundit i Bankës së Shqipërisë, i kryer mbi opinionet e 230 bizneseve konkludon se Indeksi i Çmimit për Tiranën u rrit me 43.4% në periudhën e Pandemisë krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2019. Çmimet mesatare në Tiranë raportohet të jenë rritur ndjeshëm në zonat jashtë qytetit (me mbi 50%), por kanë shënuar rënie të lehtë në zonat qendrore dhe në periferi. Për zonat bregdetare, agjentët raportuan çmime mesatare rreth 15% më të ulëta në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, ndërsa çmimet e shitjes në zonat e tjera të vendit shfaqën ndryshime thuajse të papërfillshme.
Vëllimet e shitjeve janë rritur në zonat qendrore dhe ato jashtë qytetit të Tiranës, por kanë rënë në periferi të Tiranës, zonat e tjera të vendit dhe zonat bregdetare.
Pritjet për ecurinë e tregut vetëm në territorin ku veprojnë agjentët janë (në agregat) pesimiste, dhe kanë një balancë neto prej -14%. Pavarësisht kësaj, gjysma e përgjigjeve ishin neutrale dhe vetëm 1/3 ishin negative.
Balancat me vlerën më të madhe negative janë regjistruar nga përgjigjet e subjekteve që kryejnë aktivitet në zonën e bregdetit (-26%) dhe në zonat e tjera (-18%), ndërsa për Tiranën vetëm 17% e të intervistuarve rezultuan pesimistë.
Subjektet presin rritje të çmimeve të banesave në zonën e kryeqytetit dhe kanë pritje pothuajse neutrale në zonat e tjera të vendit. Përgjigjet neutrale zinin rreth 67% të përgjigjeve, dhe kjo strukturë pasqyrohet edhe në balancat neto me vlera të ulëta, për të gjitha zonat.
Të pyetur mbi rezidencën e blerësve, agjentët raportojnë se rreth 35% e banesave dhe pronave tregtare u janë shitur shtetasve me residence jashtë Shqipërisë. Rreth 1/3 e këtyre blerësve raportohen si rezidentë në Bashkimin Evropian. Raporti i numrit të pronave të shitura për jorezidentët ndaj numrit total të pronave të shitura është thuajse i pandryshuar periudhës së kaluar./Scan