Leonardo Bonucci “ngre flamurin e bardhë”, pasi në daljen para mediave njoftoi se do të largohet nga grumbullimi me kombëtaren italiane.
Qendërmbrojtësi i Juventusit erdhi në grumbullim me problem fizike, por gjendja nuk është përmirësuar dhe ka vendosur të largohet nga kombëtarja italiane për të rikuperuar më mirë dëmtimin e tij.
“Doja shumë të luaja, por do të kthehem në Torino. I kam kërkuar shumë fizikut tim ditët e fundit, pasi edhe te Juventusi në ndeshjet e fundit kam sakrifikuar, duke luajtur i dëmtuar. Erdha në grumbullim me shpresën që do të përmirësohesha, por dëmtimi është përkeqësuar dhe nuk mund të jap kontributin tim”, u shpreh mbrojtësi.
I pyetur në lidhje me zëvendësuesit e tij të mundshëm, Bonucci pranoi se ndaj një sulmuesi si Robert Lewandowski do të jetë e vështirë, por theksoi se te Italia ka mbrojtës të rinj, që luajnë në nivele të larta dhe mund t’ia dalin shumë mirë.
“Kemi shumë djem të rinj dhe disa prej tyre luajnë në nivele të larta në klubet përkatëse, ndaj mendoj se do të bëjnë mirë, ndonëse përballë njërit prej sulmuesve më të mirë në botë, nuk është asnjëherë e lehtë”, tha Bonucci.