I papërmbajtshëm në pistë të thatë dhe në pistë të lagur. Luis Hamilton është kurorëzuar kampion bote për herë të shtatë, pas triumfit në Çmim të Madh të Turqisë, duke barazuar rekordin e legjendës, Michael Schumacher.
Në një pistë me shi, piloti anglez bëri një rikuperim të frikshëm, duke dalë fitues për herë të 94-rt në Formula 1.Shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas, i vetmi që mund ta mbante larg titulli kampion në Stamboll, fluturoi katër herë jashtë piste, duke përfunduar garën një xhiro pas Hamiltonit.
Në këtë garë, shkëlqyen edhe dy pilotët e Ferrarit, pas një të shtune katastrofë. Edhe “Kokëkuqja” ndoqi një strategji të mirëmenduar, me Charles Leclerc që mund ta kalonte i dyti vijën e finishit, por kthesën e fundit të pistës e mori më gjerë se ç’duhet, duke rrëshqitur në vendin e katërt, ndërsa një super Sebastian Vettel, falë tetë pozicioneve të rikuperuara, e mbylli garën i treti. Përpara gjermanit të Ferrarit ishte Sergio Perez.