Nga Luigji XIV tek Robespjeri

0
Edmond-Tupja-1

Nga Edmond Tupja

Në Shqipërinë e sotme të shkalafendur që, me shpirt nëpër dhëmbë e me një ekzistencë të pikëllueshme, aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ndodhi më në fund mrekullia: personazhi Edi Rama, ende kryeministër, konceptoi dhe realizoi një përplasje të ulët me Francën, kontribuesen kryesore të fondit prej njëqind milionë eurosh që Bashkimi Europian i jep çdo vit shtetit shqiptar.

Sigurisht që nuk i duhet vënë fare vesh thashethemnajës, sipas së cilës kjo dalldisje mund të shpjegohet vetëm me ndonjë efekt anësor të vaksinës (apo fucksinës?) antikovid, të cilën personazhi Edi Rama, ende kryeministër, e bëri publikisht duke u treguar shqiptarëve, me një bujë gati foshnjarake, se ai bën atë që di dhe di atë që bën, por duke e fshehur prejardhjen e vaksinës (apo fucksinës?)  në fjalë.

Nga ana tjetër, dy nga miqtë e mi analistë thellësisht kërkues, Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, të cilët e kanë shumë qejf personazhin Edi Rama ende kryeministër, janë seriozisht të mendimit që fajin apo, më saktë, përgjegjësinë për përplasjen e lartpërmendur e ka dhe duhet patjetër ta mbajë vetë Franca! “Si mund të bëhet një pohim i tillë?” do të hidhet e të shprehet shumëkush me zemëratë të sinqertë.

Mjerisht, diçka më shtyn edhe mua, që kam kaluar vitet të tëra në Paris për të studjuar e për t’u diplomuar në Universitetin e Sorbonës, që e konsideroj Francën si atdheun tim të dytë, të jem i të njëjtit mendim, pavarësisht se pohimi i dy miqve të mi mund të duket krejt paradoksal. Sidoqoftë, o lexuese dhe lexues të vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike të përjavshme, lërmëni të shpjegohem:

Fakti është që personazhi Edi Rama, ende  kryeministër, para shumë e shumë vitesh, ka ndenjur disa kohë në Francë me shpresën, siç u tha atëherë, për t’u vendosur përfundimisht atje me qëllim që të mahniste Parisin me pikturat e tij: mirëpo ngjarjet rrodhën ndryshe: Kryeministri i atëhershëm, Fatos Nanoja, e joshi atë duke i propozuar postin e ministrit të Kulturës dhe, kësisoj, personazhi Edi Rama, i brumosur deri diku me kulturë franceze dhe njohës deri diku i letërsisë e i historisë së Francës, u kthye në atdheun e vet të gjorë, që mezi po e priste, për të ngjitur triumfalisht shkallët e hierarkisë së pushtetit fillimisht, pra, si ministër Kulture, pastaj, si kryebashkiak i kryeqytetit, mandej si kryetar i Partisë Socialiste dhe sot, prej gati tetë vjetësh, si kryetar qeverie, si mbret, si car, madje thuajse si kryecar i Shqipërisë! Mirëpo, ajo çka ai mësoi nga historia e Francës, madje e Francës së shekullit XVII, janë, ndër të tjera, dy thënie që i vishen mbretit të saj, Luigjit XIV: “L’Etat, c’est moi” (Shteti jam unë!) dhe “Après moi, le déluge!” (Pas meje, u bëftë kiameti!), të cilat, si batuta që janë, i përshtaten për bukuri mënyrës si personazhi Edi Rama, ende kryeministër e thuajse kryecar, po e qeveris duke u kapardisur shtetin e shastisur shqiptar.

U kërkoj ndjesë lexueseve dhe  lexuesve të mi që u rikujtova këto dy thënie, sepse i kam përmendur ato jo më larg se të dielën e kaluar po në këtë gazetë e në këtë rubrikë, veçse sot dua të përmend edhe Robespjerin, njërin nga udhëheqësit më gjakatarë të Revolucionit francez të vitit 1789, të cilit, sipas filozofit francez Michel Onfray, Historia i ka faturuar tashmë 100 000 mijë viktima të masakruara ose të ekzekutuara, pa përfshirë rreth 17 000 kokëprerë në gijotinë, nga të cilët 2 500 në Paris, rreth 25 000 të pushkatuar, gati 35 000 viktima në krahinën e Vandesë, rreth 7 000 të mbytur në grykëderdhjen e lumit Luarë në Nantë.

Ky autor nënvizon edhe admirimin, madje adhurimin që ushqenin për Robespjerin veçanërisht diktatorët e majtë, si “Lenini, Stalini, Mao Ce Duni dhe disa të tjerë të të njëjtit kallëp” nënvizon filozofi në fjalë. Të të njëjtit kallëp…ashtu si diktatori ynë Hoxha, ashtu me gjasë si ndonjë tjetër midis nesh… Vërtet, a njihni ju ndonjë tjetër, të nderuara lexuese e lexues të nderuar të këtyre rreshtave?

Sidoqoftë, e kam përmendur e nuk do të resht së përmenduri Luigjin XIV, por edhe Robespjerin duke ditur se sindroma e Hubrisit, pra sëmundja e pushtetit, i kap gati pa përjashtim të gjithë ata që ngjiten në majë të tij, se nga kjo sëmundje vuan, me shumë gjasë, pa asnjë mundësi shërimi, madje as përmirësimi, edhe vetë Edi Rama, ende kryeministër e thuajse kryecar i një vendi që lëngon nën thundrën e tij në formë zemre për disa, por thundër gjithsesi, thundër që, si përkufizim, ka për funksion shtypjen, vetëm shtypjen, gjithmonë shtypjen për aq kohë sa ai shpreson e ëndërron të rrijë gati përjetësisht në pushtet!/panorama

Artikulli i mëparshëmMiley Cyrus vendos maskën por harron reçipetat
Artikulli i radhësMos dëgjoni përgjimet, besoni sondazhet