Wizz Air rrëmben tregun e fluturimeve në 2020; Londra ia kalon Romës si destinacioni kryesor

0

Tregu i fluturimeve ka shënuar ndryshime të shumta në 2020-n, si rrjedhojë e kufizimeve të detyruara nga pandemia dhe hyrjes së operatorëve të rinj me kosto të ulët. Ndalimet e fluturimeve, pezullimet e përkohshme dhe masat e shtuara gjatë vitit 2020 ulën ndjeshëm numrin e fluturimeve dhe udhëtarëve të ajrit.

Referuar të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Departamenti i Marketingut të Linjave Ajrore, shifrat tregojnë se ka pasur një numër prej 1,310,614 pasagjerësh të cilët kanë udhëtuar gjatë vitit 2020 për / nga TIA.

Një vit më parë, aeroporti përpunoi një rekord pasagjerësh prej 3.2 milionë. 63% është rënia e numrit total të pasagjerëve krahasimisht me 2019, ndërsa rënia e fluturimeve charter shkon deri ne 67% krahasimisht me një vit më parë.

Operatori me kosto të ulët “Wizz Air”, që hyri në tregun shqiptar nga fundi i vitit 2019, ka zotëruar tregun me 24% të totalit të pasagjerëve gjatë vitit 2020, duke vijuar me 14%, zotërim i tregut nga kompania shqiptare “Air Albania” si dhe 14% të kompanisë “Blue Panorama”. Pasuar kjo nga kompania shqiptare Albawings, e cila ka zotëruar 10% të tregut përgjatë 2020.

Një vit më parë tregun e kryesorin Blu Banorama dhe Alba Wings.

Kompania e cila ka përqindjen më të lartë të rritjes për vitin 2020 krahasimisht me 2019 është kompania Air Albania. Kjo rritje e kompanisë është 31% më e lartë se në 2019.

Rritje gjithashtu ka pasur edhe kompania Easy Jet, e cila këtë vit ka shtuar destinacionet si dhe numrin e fluturimeve për dhe nga TIA.

Për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të pasagjerëve për të udhëtuar pjesa më e madhe e kompanive që operojnë për /nga TIA, kanë ulje të lartë në përqindje krahasimisht me vitin 2019.

Në 2020 numri total i destinacioneve që kanë fluturuar për/ nga TIA në total ka qenë 51. Në 2019 numri i destinacioneve që kanë fluturuar për/ nga TIA ka qënë 59 ku dhe u shtuan 13 destinacione të reja. Në vitin 2018, numri i destinacioneve ishte 52.

Për herë të parë, destinacionet kryesore nuk janë qytetet italiane, por ka kaluar Londra, me 127 mijë pasagjerë, e ndjekur nga Milano me 122 mijë pasagjerë. Vitet e mëparshme kryesonin Roma e Milano, si destinacionet kryesore ku fluturonin shqiptarët, por kufizimi i udhëtimeve ka ndryshuar tërësisht këtë tendencë.

Artikulli i mëparshëmSkema nga bilancet: Si futen paratë informale në ndërtim
Artikulli i radhësIsmail Kadare ripropozohet për çmimin Nobel në Letërsi nga Akademia e Shkencave