Basha prezanton planin ekonomik të PD: Nuk janë premtime, por angazhime të padiskutueshme

0
Basha

Kryetari i PD Lulzim Basha ka prezantuar planin ekonomik të PD me sloganin “Shqipëria fiton”, duke prekur një nga një të gjitha angazhimet siç i quajti ai që do të marrë përsipër si kryeministër dhe ekipi i tij. Basha tha se ky program vjen pas rreth 2 viteve punë me ekspertët më të mirë të ekonomisë, financave, turizmit, shëndetësisë, çështjeve sociale dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Ai tha se duam të sjellim para jush një program pune, një porgram qeverisje që do iu shërbejë qytetarëve dhe jo një partie dhe se ky është një program që do ta çojë Shqipërinë përpara. Basha theksoi se planet nuk janë premtime, janë angahzime të padiskutueshme, të miat si kryeministër dhe ekipit tim para çdo shqiptari dhe si të tilla do të rimbushen.

“Jam shumë i lumtur që sot jam para jush, për të filluar serinë e prezantimeve të vizionit tonë për Shqipërinë dhe shqiptarët, të programit tonë qeverisës SHQIPËRIA FITON.
Për muaj të tërë, së bashku kemi punuar me ekspertët më të mire të vendit, me ndihmë të jashtëzakonshme nga ekspertët më të mirë të ekonomisë, të financave, turizmit, të arsimit, të shëndetësisë, çështjeve sociale, por po kështu edhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare, partive tona simotra, instituteve dhe fondacioneve, nga Gjermania deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe në Itali, në Greqi e kudo. Kemi punuar për t’i sjellë Shqipërisë një plan serioz zhvillimi, që do të rimëkëmbë dhe do ta gjallërojë ekonominë tonë dhe që do t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.
I kemi kushtuar shumë kohë, themi muaj po në fakt po mbushen dy vite. Sepse këtë herë duam të sjellim para jush një program pune, një program qeverisjeje, një program të zbatueshëm që do t’u shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë, dhe jo thjesht një partie politike apo një fushate elektorale.
Ky është një program që do ta çojë Shqipërinë përpara, menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit.
Megjithatë jam i vetëdijshëm se çfarë ju shkon ndërmend shumë prej jush dhe çfarë po ju kujtohet tani. Keni dëgjuar kaq shumë premtime këto tetë vite, jeni lodhur nga ata që ju premtojnë botën dhe nuk ju japin asgjë. Ndodhi me kryeministrin në ikje i cili premtoi qindra, mijëra vende pune, por në fakt me të dhe nën të, radhët e të papunëve u shtuan dhe mijërave të pamundurve për punë iu hoq edhe buka e gojës, ndihma sociale.
Premtoi të ulte koston e jetës për 97% të shqiptarëve, por me të kostoja e jetës për shqiptarët është rritur në shifra rekord. 40% gjatë viteve të sundimit të tij. Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia jonë është në kolaps dhe krizë totale dhe është tërësisht e shkatërruar dhe e paaftë të përballet me sfidat e përditshme të shqiptarit. Premtoi ta bënte më të fortë ekonominë tonë, por ekonomia u shkatërrua dhe shqiptarët po e paguajnë ditë për ditë në xhepat e tavolinat e tyre të zbrazura. Kjo do të marrë fund.
Kjo kulturë e premtimeve pa doganë dhe pastaj braktisjes së tyre totale do të marrë fund. Ndaj nuk kam dalë sot para jush të premtoj gjëra që nuk bëhen kurrë realitet. Planet që po nisim të shpalosim sot dhe javët në vijim nuk janë premtime. Janë angazhime të padiskutueshme të miat si kryeministër dhe të ekipit tim përpara jush, përpara çdo shqiptari dhe si të tilla do të përmbushen.
Një kryeministër që nuk është i aftë t’i përmbushë angazhimet që merr përsipër duhet të largohet. Unë sot marr këtë barrë të përgjegjësisë para jush. Jo pas 8 vitesh por direkt në katër vitet e para sipas një plani të detajuar muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite. Ka ardhur koha për ndryshim. Ka ardhur koha ta ndryshojmë Shqipërinë. Ka ardhur koha ta largojmë këtë qeveri e të sjellim një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj.
Edhe unë sot nga kjo foltore mund t’ju premtoj 500 mijë vende pune, pagën minimale 500 euro, por ky do të ishte manipulim dhe unë nuk kam ndërmend të fitoj besimin tuaj me gënjeshtra. Koha e matrapazëve politikë që shesin shpresa boshe për të blerë pushtet për vete ka mbaruar.
I keni parë çfarë kanë bërë për ju dhe çfarë kanë rrëmbyer për vete, por para se të shpalos angazhimet e qeverisë së re, dua të flas për objektivat e planit tonë që do t’i arrijmë përmes këtij programi dhe kur them objektivat, e kam fjalën për objektivat e Shqipërisë. Objektiva nga të cilat do të përfitojmë të gjithë, të gjitha familjet tona. Dyfishimi i të ardhurave për frymë është objektivi ynë parësor, pasi kjo prek dhe përmirëson jetët e të gjithë shqiptarëve, të çdo familjeje, të çdo shtëpie, të çdo fëmije, prindi, gjyshi e gjysheje. Koalicioni ynë qeverisës angazhohet përmes programit tonë që shënjestron sektorë të caktuar të dyfishojmë të ardhurat për frymë”, deklaroi kreu i PD.

Artikulli i mëparshëm“Jam këtu për Maldinin e historinë”: Tomori lojtari që debutoi para se të prezantohej
Artikulli i radhësShokon milionerja, ha ushqim për mace dhe nuk blen kurrë…!