Sherri mes Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukaku në derbin Inter-Milan në Kupë vazhdon të bëjë zhurmë. Në një kohë që pamjet bënë xhiron e botës, në Itali pyesin nëse do të ketë penalizime për të dy lojtarët. Nesër do të dalë vendimi i Gjykatës Sportive, por sipas mediave italiane nuk do të ketë dënime të rënda pasi në relacionin e arbitrit Valeri nuk ka sinjalizime për fyerje të rënda.
Kjo konfirmohet edhe nga kartonët e verdhë që kryesori nxorri për të dy sulmuesit. Por kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq. Duke qëndruar në atë që raportojnë të përditëshmet përtej Adriatikut, Prokuroria e Federatës Italine të Futbollit pritet të nisë një hetim për dy futbollistët. Pamjet televizive janë një provë e rëndësishme, ndërsa pika më e nxehtë e hetimeve lidhet edhe me dyshimet për racizëm nga ana e Ibrahimovic. Por vetë sulmuesi ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.