Kylian Mbappe tek Real Madrid është një çështje që po zgjatet shumë në kohë, një dëshirë shumë e madhe e presidentit Perez, por deri më tani mungon një ofertë zyrtare në dyert e PSG. Sheikët nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga shërbimet e kampionit të botës, Leonardo në më shumë se një herë ka theksuar se klubi po punon për ti ofruar një kontratë të re që do ta shndërronte në lojtarin më të paguar në botë. Në këtë diskutim është përfshirë edhe trajneri i ri Mauricio Pochettino: “Ka shumë zëra, por unë e shoh tek PSG për shumë vite, kjo është edhe shpresa e drejtuesve të klubit. Sigurisht në fund do të jetë Mbappe ai që duhet të marrë një vendim por e shoh të lumtur dhe shumë të lidhur me projektin e klubit”, u shpreh Pochettino në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca” duke u ndalur më pas tek dy lojtarë shumë të lakuar, Messi-Sergio Ramos, kapitenët e dy klubeve më të mëdha në Spanjë:
“I respektojë shumë lojtarët e klubeve të tjera, çfarë do që të them unë do të keqinterpretohet. E sigurt është se këtu do të gjenin një klub të madh dhe do të kenë mundësinë të fitojnë gjithnjë. PSG është një emër i madh i futbollit botëror”, theksoi trajneri i PSG. Edhe në Spanjë janë të sigurt se në fund të sezoni, Sergio Ramos do të largohet nga Madridi për të nisur një aventurë të re të Paris. Kapiteni ka refuzuar edhe ofertën e radhës të bërë nga presidenti Perez duke shprehur qartë dëshirën e tij për tu larguar.