Zbulohen pamjet filmike të vrasjes së Klodian Rashës, ç’ndodhi mes të riut dhe efektivit të “Shqiponjave” pak para krimit

0
Klodian Rasha1

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Klodian Rashës, mëngjesin e 8 dhjetorit të vitit të kaluar. Prokuroria ka zbuluar se efektivi i forcave Shqiponja, Nevaldo Hajdaraj, është përplasur fizikisht me viktimën përpara se ta qëllonte për vdekje me dy plumba pas shpine, në rrugicën e shtëpisë së tij, teksa Rasha kishte dalë jashtë banese në shkelje të rregullave anti-covid.

Ky fakt është zbuluar nga këqyrja e kamerave të sigurisë. Në pamje shihet qartë që Nevaldo Hajdaraj, i cili ishte vënë në ndjekje të të riut, e ka arritur atë dhe e ka kapur nga duart. Por, personi që më vonë u identifikua si Klodian Rasha, ka mundur t’i shpëtojë nga duart dhe të largohet.

Në këtë moment, Hajdaraj e ka qëlluar për vdekje. Nisur nga kjo provë e re, prokuroria thotë se efektivit i policisë duhet të përgjigjet për akuzën e vrasjes me dashje, pasi fakti që ai i ka kapur duart, ai e ka patur të qartë që po qëllonte një person të paarmatosur. Që viktima dhe autori u përplasën fizikisht, ishte pohuar më herët nga Erion Gj, kolegu i Nevaldo Hajdaraj, i cili gjithashtu u vu në ndjekje të të riut, që s’iu bind urdhrit për t’u ndaluar.

Ai shprehej në dëshminë e tij se në momentin që ata u përplasen fizikisht, pa Nevaldon që u rrëzua dhe teksa po ngrihej dëgjoi dy krisma arme. Klodian Rasha u qëllua për vdekje në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit të 2020. Pranë vendit ku ai mbeti i vrarë, u gjet një pistoletë, që rezultoi se nuk i përkiste 25-vjecarit. Vrasja e Rashës u pasua me protesta dhe u bë shkak për largimin e Sandër Lleshaj nga posti i ministrit të Brendshëm.

Artikulli i mëparshëm“Ishte faji im nëse u eleminuam” Hoedt kërkon falje tifozëve dhe Lazios
Artikulli i radhësPochettino “ngrin” Realin, largon Mbappe nga Madridi dhe fton publikisht Sergio Ramos në Paris