Vazhdojnë të jenë të tensionuara marrëdhëniet mes dy shteteve, Greqisë dhe Turqisë. Krahas dronëve të armatosur, Turqia duket se po investon edhe në marinë duke ndërtuar sëfundmi një tjetër dron të ngjashëm, i cili nuk fluturon por lundron në det.
Mediat turke raportojnë se droni mund të udhëtojë për qindra milje i pavaruar dhe mund të drejtohet nga toka dhe ajri pa patur nevojë që të ketë trupa ushtarake brenda.
Droni i quajtur “ULAQ” do të përdorë raketa kundër anijeve dhe shënjestrave të tjera të ngjashme duke ulur kështu në minimum rrezikun për jetën e forcave detare.
Ekspertët bëjnë me dije se droni në fjalë ka një kosto të ulët prodhimi dhe ka filluar testimet në detin Egje, ku pritet edhe t’i hapë mjaft punë flotës greke.
Nga ana tjetër, Greqia ka parashikuar të investojë duke blerë katër fregata të reja nga Franca të pajisur me teknologjinë më të fundit për luftë detare. Gjithçka vjen në kuadër të balancimit të forcave në Egje, ku Turqia ka investuar ndjeshëm në dronë dhe anije ushtarake.