Vritet në ditën e lindjes 33-vjeçari nga Tepelena, Armando Beqiri. I riu shqiptar u qëllua për vdekje pak para mesnatës së djeshme në prangun e shtëpisë së tij, në Reykjavík të Islandës. 33-vjeçari kishte parkuar makinën në garazh dhe kishte mbërritur tek dera, gati për ta hapur, teksa pas tij u shfaq një makinë, nga e cila u qëllua me armë zjarri.
Beqiri mori më shumë se 5 plumba, në shpinë, qafë dhe kokë, duke ndërruar jetë në vend pavarësisht përpjekjeve të familjarëve që e dërguan me urgjencë në spital. Fqinjët e familjes shqiptare që jetonte prej disa vitesh në Reykjavík u shprehën se nuk i kishin dëgjuar krismat. Gjithashtu ata shtuan se i riu kishte ardhur në lagje më shumë se një vit më parë por që nuk kishin asnjë komunikim me të, teksa shtojnë se dukej njeri i qetë dhe jo problematik.
Armando ishte një nga pronarët e një kompanie që merrej me sigurinë fizike, ndërsa prej 2015 ishte i martuar, kishte një djalë 15 muajsh dhe po priste fëmijën e dytë. Ai jetonte prej shumë vitesh në Islandë, pasi ishte provuar që të emigronte edhe në Greqi.
Mediat vendase kanë treguar me detaje historinë e shqiptarit nga Tepelena, i cili ishte kthyer në një biznesmen të fuqishëm në vendin e vogël ishullor. Sipas tyre, armiqtë dhe miqtë e tij në Rauðagerði, vend ku edhe jetonte, thuhet se ishin të paktë, madje mund të numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Në rrjetet e tij sociale, 33-vjeçari tregonte se fliste rrjedhshëm tre gjuhë; gjuhë, shqip, greqisht dhe anglisht, ndërsa shtojnë se 33-vjeçari kishte fituar dashurinë dhe respektin e të gjithëve.
Lidhur me vrasjen e tij janë arrestuar 4 persona, një prej tyre nga Lituania, i lidhur me botën e krimit. Pista kryesore ku po hetohet është prishja e pazareve të drogës në të shkuarën, e cila i ka kushtuar edhe jetën 33-vjeçarit. Megjithatë hetimet për të zbardhur të gjithë ngjarjen ende vijojnë. Në lupën e Policisë është edhe një islandez, i cili ka kërkuar vetë që të deponojë por nuk dihet ende lidhja e tij me ngjarjen.