Marrja e një vaksine është e vështirë në të gjithë botën, e Shqipëria nuk mund të bëjë dallim. Lufta për sigurimin e dozave të para është e vështirë për të gjitha vendet dhe po nxjerr në pah pabarazitë globale, ku vendet më të pasura marrin më shumë vaksina, e më të varfërit ende nuk kanë nisur vaksinimin. Në këtë situatë, në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se vaksinimi do të vazhdojë me bluzat e bardha, por përsa i përket të moshuarve, ai tha se do të vaksinohen të parët ata që janë personalitete në shoqëri.
“S’kemi pasur asnjë humbje jete si rezultat i bllokimit total dhe karantinimit total. Për rreth 1000 persona, vaksinimi do përfundojë këtë javë, ndërkohë që po shtrihet në të gjithë rrjetin e bluzave të bardha. Sot janë prezent dhe mjekë nga Mati dhe Bulqiza, nesër do jemi në Vlorë, do vazhdojmë me zonën poshtë. Do vazhdojmë me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete, që duhet t’i mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur vdesin e të mbajmë fjalim“.-tha Rama sot në Air Albania.
Një deklaratë e tillë ngre pyetjen e thjeshtë se a duhet bërë një ndarje e tillë e qytetarëve dhe marrja e dozave të vaksinës në bazë të rëndësisë së tyre në shoqëri. A do të hapë ky vendim një ndarje tjetër më të thellë të grupeve që do të vaksinohen, në një strategji ende të paqartë nga autoritetet se kush duhet dhe kush do e marrë vaksinën?
A janë deputetët e moshuar personalitete?
Disa javë më parë, deputeti Enver Roshi i kërkoi kryeministrit Edi Rama që qeveria të marrë masat për të vaksinuar deputetët e moshuar pasi sipas tij janë personalitete. Rama iu përgjigj duke thënë se askush nuk do vaksinohet në bazë të postit por në bazë të strategjisë së qeverisë.
“Asnjë ministër, asnjë deputetë, asnjë drejtor, që nuk është mbi 75 vjeç nuk do të ketë asnjë privilegj të kësaj natyre.”, tha Rama më 15 janar, ndërsa sot me gojën e tij pohoi se strategjia më e fundit e qeverisë është vaksinimi i personaliteteve.
Një vendim i tillë mund të shkaktojë pakënaqësi jo të pakta tek ata pensionistë që nuk janë personalitete por kanë të njëjtën të drejtë për të marrë vaksinën si moshatarët e tyre në Evropë dhe më gjerë. Britania e Madhe, vendi shembull për Evropën për çështjen e vaksinimit e nisi vaksinimin me një grua nga azili i të moshuarve, që nuk ishte një personalitet, por gëzon të drejtën për të marrë dozën që do ti shpëtojë jetën.