Një tërmet tjetër i fuqishëm ka rënë në Elasona të Greqisë me magnitudë 6 ballë. Lëkundjet e forta u ndjenë edhe në Tiranë, në Korçë, Pogradec, Fushë Krujë, Durrës, Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Lezhë.
Por a përbëjnë rrezik edhe për Shqipërinë këto tërmete në Greqi, që sipas sizmiologëve grekë, po ndodhin në një zonë që nuk konsiderohej territor sizmik, si Larisa dhe Elassona?
Sizmiologu i IGJEUM, Rexhep Koçi, thotë se nuk ka asnjë rrezik të tillë për Shqipërinë.
Edhe pse qyteti Larisa në Greqi nuk konsiderohet zonë e kuqe, sizmiologu Koçi shprehet se nuk përjashtohet fakti që të gjenerohen tërmete.
“Ne nuk jemi të përfshirë në këtë zonë, megjithëse Ballkani Perëndimor është zonë me aktivitet sizmik të lartë, por zona e aktivizuar në pjesën qëndrore të Greqisë nuk përbën asnjë lloj rreziku për territorin e vendit tonë. Nuk e thënë që një zonë që s’ka gjeneruar tërmete, aq sa mund të disponohet informacion, nuk do të thotë që në një moment të caktuar të gjenerojë tërmete. Kjo mund të përbëjë shqetësim lokal por jo për Shqipërinë”, tha ai në një lidhje telefonike për Klan News.