Basha përpara studentëve: Sfida më e madhe pas 25 prillit është frenimi i ikjes së të rinjve nga vendi

0

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me studentë dhe përfaqësues të “European Democrat Students”. Gjatë fjalës së tij përpara studentëve, lideri demokrat tha se sfida më e madhe e qeverisë së tij pas 25 prillit është frenimi i ikjes së të rinjve nga vendi dhe kthimi i atyre që studiojnë jashtë. Kryedemokrati, po ashtu, theksoi se programi i PD fokusohet tek të rinjtë dhe se qeveria e drejtuar nga ai do të sjellë ndryshimin. Sipas tij, asnjë i ri nuk do të mbetet pa u shkolluar dhe ndër të tjera u bëri thirrje të rinjve të bëhen bashkë për të votuar PD.

“Faktet flasin vetë, 75% e të rinjve duan të largohen nga vendi. 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Të dyja këto më dëshpërojnë jashtë mase. Të parën deri diku edhe mund ta mirëkuptoja nëse do të ishte për të studiuar jashtë, sepse kjo është një ëndërr legjitime dhe nesër një nga projektet kryesore të qeverisë që do të dalë nga vota e 25 prillit. Por e dyta, dëshira për të mos u kthyer por për të vazhduar jashtë Shqipërisë është një katastrofë kombëtare, të cilës ne mund, duhet dhe do t’i japim fund me programin tonë ekonomikë e në veçanti me programin tonë për rininë. E vërteta është fare e thjesht, që të fitojë rinia shqiptare, që të fitojë Shqipëria, duhet të largojmë Edi Ramën”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës përsëriti angazhimin e tij për të shfuqizuar ligjin e Ramës për Arsimin e Lartë dhe në vend të tij, hartimin e një ligji nga pedagogët dhe ekspertët më të mirë konsultuar me vetë studentët.

“Ligji i arsimit të lartë u konceptua si një ligj për t’ju nënshtruar, t’ju skllavëruar, për t’ju depersonalizuar ju, universitetet dhe pedagogët. Ndaj dhe akti i parë në programin tonë, i cili do të marrë jetë pas zgjedhjeve të 25 prillit, është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë dhe një ligj i ri i përmasave dhe parimeve europiane, i ndërtuar me ekspertizën më të mirë të ekspertëve tanë, të pedagogëve dhe ndihmën tuaj në dialog me ju dhe shoqatat e studentëve”, u shpreh kreu i PD.

Artikulli i mëparshëmI pazakontë edhe në Sanremo, Ibra bën autostop: “Donte ta ngiste ai, por i thashë jo”
Artikulli i radhësA ishte Drake shkaku i divorcit të Kim dhe Kanye