Edhe pse dozat e vaksinës Astrazeneca kanë mbërritur, procesi i vaksinimit për mësuesit në Fier do të nis ditën e martë. Burime pranë njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Fier kanë bërë me dije se janë marrë të gjitha masat për procesin e vaksinimit të arsimtarëve, që për bashkitë Fier, Patos, Roskovec e Mallakastër janë rreth 1900.
Ndërkohë nga ana e zyrës vendore janë shpërndarë formularët në të gjitha institucionet arsimore, formularë të cilët pritet të plotesohen e firmosen.
Pjesë e procesit të vaksinimit do të jenë mësues, edukatore cerdhesh e kopshtesh ndërsa vaksina nuk është e detyrueshme.
Deri më tani nuk dihet se sa mësues do te bëhen pjese e procësit të vaksinimit, edhe pse dozat kanë mbërritur për të gjithë.
Ndërsa vaksina po ruhet në kushtet e duhura, mjediset e përzgjedhura do të jenë palestra e salla të mëdha, të shpërndarë në të gjithë territorin, bazuar kjo edhe në protokollet e ministrisë së shëndetësisë.
Ndërsa bëhen gati mjediset e vaksinimit për mësuesit, vazhdon procesi për bluzat e bardha dhe moshën e tretë të cilët në dallim nga arsimtarët, janë duke bërë vaksinën e Pfizer.