Basha me mësuesit: Nuk do të ndëshkoheni prej qëndrimeve të kundërta politike

0

Kreu i PD, Lulzim Basha ka takuar mësues të arsimit parauniversitar në Tiranë për të diskutuar për problemet e shqetësimet e tyre, apo për angazhimet që ai premton nëpërmjet programit elektoral.

Basha thotë se tashmë në këtë kohë, ndryshimi është nevojë e madhe, pasi nëpër shkolla sidomos në kohë pandemie po punohet nën një trysni të madhe.

Sipas tij mësuesit nuk po punojnë lirisht prej drejtuesve, teksa vetë thotë se 25 prilli do të jetë ndryshimi i madh.

Madje Basha thotë se mësuesit nuk do të ndëshkohen nëse kanë qasje të kundërta politike me të si kryeministër apo qeverinë e PD.

NJOFTIMI PËR TAKIMIN E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME MËSUES TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË NJËSINË 11 NË TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me mësues të arsimit parauniversitar në njësinë 11 në Tiranë, të cilët u shprehën se sot mësuesit e kanë të vështirë të ushtrojnë profesionin e tyre për shkak të trysnisë së drejtuesve.

“Tё gjithё flasim pёr ndryshim, ndryshim por vërtet këtij, kësaj koha i ka ardhur nevoja e madhe, thërret, ulёret pёr ndryshim nё tё vërtet. Pёr faktin se po punohet me njё trysni nёpёr shkolla qё nuk ёshtё punuar ndonjëherë mё përpara. Gjatë gjithё kohës gjen presion e drejtuesve, si e si tё kapen pёr gjëra tё vogla dhe jo pёr gjërat profesionale. Pra gjithmonë e mё shumë gjen vështirësi qё tё punosh lirisht, tё ushtrosh profesionin tënd lirisht.”- u shpreh mësuesja Eralda Bejleri.

Një shqetësim tjetër që ngritën mësuesit, ishte edhe situata e vështirë që po kalojnë për shkak të pandemisë. Ata shprehen se janë të detyruar të mbulojnë edhe kolegët e tjerë që janë të infektuar me COVID, duke mbajtur nga 2-3 klasa, ndërsa mësuesit që paguhen si zëvendësues nuk vijnë.

“Unë do të citoj diçka që ndoshta do jetë gozhdë shumë e madhe për ministren sot edhe për qeverinë sot por që është një e vërtetë e madhe dhe një vërtetë e hidhur. Ne po kalojmë një situatë shumë të vështirë prej një viti, gati një vit e pak dit më shumë ku të gjithë ne po e vuajmë situatën e COVID-it apo jo dhe zonja ministre thotë që janë rreth dy mijë mësues që paguhen. Më falni që unë po e them këtë gjë, dy mijë mësues që po paguhen për të zëvendësuar mësuesit që janë të sëmurë me COVID. Në një vit e pak në shkollën tonë dhe besoj në të gjitha shkollat e Tiranës, nuk di të ketë me aq sa jemi ne në dijeni, të ketë mësues që shkojnë dhe zëvendësojnë mësuesit e sëmurë, por këta mësues prej dy ose katër javësh zëvendësohen nga ne vetë që duhet të mbajmë nga dy, tre klasa.”- tha një tjetër mësues gjatë bisedës me kryetarin Basha.

“Nëse gjithsecili prej nesh do të hapë një kapitull se cilat janë problemet në arsim, këto janë të pafundme. Pagat, është njëri prej tyre, i thënë dhe i stërthënë, akoma më tepër bibliotekat, akoma më tepër kurikula, akoma më tepër kualifikimi i mësuesve, pra alterteksti. Pra, çdo gjë tek ne ka problemet e veta.” –u shpreh një tjetër mësues.

Kryetari Basha teksa dëgjoi shqetësimet e mësuesve, theksoi se një nga misionet kryesore të normalizimit të politikës shqiptare pas 25 prillit, është që ta largojë frikën si një instrument sundimi edhe tek arsimtarët. Sipas tij, asnjë nga mësuesit që kanë mendimet e kundërta me qeverinë e ardhshme, nuk do të ndëshkohen. Më tej ai shprehu zotimin se me zbatimin e programit të Partisë Demokratike për arsimin që ditën e parë, do të mundësojë rroga më të mira për mësuesit dhe përmirësimi i kushteve të punës për ta.

“Së pari në motivimin e mësuesve që do të thotë kryesisht kushtet e punës dhe pagat dhe këtu kemi parë që këto 8 vite rritja e pagave të mësuesve ka qenë një shaka e përsëritur por e bërë kurrë realitet.  Erdhi tani sezoni zgjedhor dhe më në fund u kujtuan për një rritje modeste të nivelit bazë në janar që është krejtësisht  pamjaftueshme për 8 vite sakrifice, pune, rritje të kostos së jetës, rritje të çmimeve. Ndërkohë e vetmja gjë që ka munguar është mbështetja financiare për mësuesit. Pra ajo që  doja të thoja që kushtet e punës dhe pagat janë kryesorja. Kushtet e punës mos të flasim për politizimin e skajshëm që i është bërë arsimit në tërësi, arsimit parauniversitar, por edhe arsimit universitar. Një nga misionet kryesore të normalizimit të politikës shqiptare, është që ta largojë frikën si një instrument sundimi. Njerëzit duhet të jenë të lirë të thonë mendimet e tyre dhe kjo është A-ja e demokracisë! Ky është formimi im, kjo është kërkesa juaj, kjo është minimumi që meriton Shqipëria dhe shqiptarët! Ndaj, 25 Prilli do të jetë një ditë ndryshimi i thellë, edhe në raport me qasjen e politikës, edhe në raport të qasjes ndaj politikës, edhe në raport të qasjes së lirisë së njerëzve për të shprehur mendimet e tyre arsimtarët nuk do të ndëshkohen nëse kanë qëndrime të kundërta politike me qeverinë e ardhshme, me kryeministrin e ardhshëm. Nuk do të vlerësohen thjeshtë mbi pikëpamjet e tyre politike, do të vlerësohen vetëm mbi bazën e profesionalizmit dhe performancën në detyrë. Ky është borxhi që kemi ndaj fëmijëve, ky është borxhi që kemi ndaj Shqipërisë së nesërme e cila është tërësisht në duart e prindërve dhe mësuesve, mësuesve dhe prindërve. Dhe detyra jonë është t’i ndihmojmë të dy, prindërit përmes ekonomisë, zhvillimit ekonomik, punësimit dhe rritjes së pagave dhe mësuesit po kështu përmes kushteve dinjitoze të punës, rritjes së pagave dhe modernizimit që është sot më i mundshëm se kurrë dhe me një kosto më të përballueshme se kurrë për shkak të avancimeve teknologjike. Ndaj keni zotimin tim që të gjitha ato qëndrime që janë shprehur në programin tonë për arsimin, do të përbëjnë një plan pune që do të nisë zbatimin prej ditës së parë, prej ditës tonë të parë në qeveri. Dhe ju e dini se keni prova nga e kaluara që kanë thënë se do t’jua dyfishojmë rrogat e mësuesve ia kemi dalë ta bëjmë realitet. Dhe sot po ju them se të gjitha këto zotime do t’i bëjmë realitet jo thjesht dhe vetëm për punën tuaj, për sakrificën tuaj, rolin tuaj të pazëvendësueshëm në formimin e të rinjve, fëmijëve, të brezit të ri, por për të gjithë shoqërinë  e ardhmja e së cilës varet  letë themi gjysmë për gjysmë nga prindërimi dhe arsimimi. Pra nga prindi i parë biologjik dhe prindi i dytë jo biologjik  që janë mësuesit tanë. Ju falënderoj dhe njëherë nga zemra për këtë mundësi.” u shpreh Basha.

Artikulli i mëparshëmBiznesmeni që i dogjën bujtinën: Është e qëllimshme, më shkaktuan 3 milionë euro dëm
Artikulli i radhësZëri Amerikës: Institucionet e reja të drejtësisë shqiptare janë të korruptuara dhe të varura nga politika